Vendimi i Kushtetueses për Teatrin Kombëtar ka shkaktuar debate të shumta. Opozita e ka cilësuar vendimin e Kushtetueses si një fitore, ndërsa ka kërkuar që të vihet në lëvizje edhe SPAK. Ka qenë kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ai i cili ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për çështjen e Teatrit Kombëtar. Me anë të një postimi në rrjetet sociale, Basha thotë se Gjykata Kushtetuese e dha vendimin, ndërsa tashmë sipas tij, radhën e ka SPAK.
“Gjykata Kushtetuese foli, radhën e ka SPAK”, shkruan Basha.
Një tjetër reagim, ka ardhur edhe nga nënkryetari i PD, Edi Paloka. Me anë të një njoftimi në rrjetet sociale, ai u shpreh se vendimi për teatrin u dha nga Kushtetuesja, ndërsa theksoi se tashmë është në dorë të drejtësisë dhe SPAK që të vendosë. Paloka shkruan, se pas këtij vendimi sipas tij, asnjë nga pushtetarët nuk do të dënohet.
“Gjykata Kushtetuese e dha vendimin e saj për Teatrin Kombëtar. Tani drejtësia nuk mund të ndalet këtu. Më lejoni të them çfarë do ndodhi më pas. Askush nga pushtetarët nuk do të preket (Rama e Veliaj që janë përgjegjësit kryesorë, jo e jo), por çfarë është më e keqja, ata do të vazhdojnë në rrugën e tyre pa e përfillur fare vendimin e gjykatës”, tha ai.
Ndërkohë edhe nënkryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili, ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, për të pezulluar ndërtimin e Teatrit të ri Kombëtar. Nëpërmjet një statusi në rrjetet sociale, Vasili thotë se Kushtetuesja mori vendimin e saj për Teatrin, ndërsa tanimë sipas tij, SPAK duhet të dërgojë kryeministrin Edi Rama dhe kryebashkiakun Erion Veliaj përpara drejtësisë. Ai theksoi se ky është një krim i rëndë kushtetues.
“Gjykata Kushtetuese foli për Teatrin! SPAK të çojë Ramën dhe Veliajn dhe të gjithë bandën e rilindjes që shkatërroi teatrin, rrahu qytetarët në mesin e pandemisë, përpara drejtësisë, s’ka rrugë të mesme, ose ndryshe SPAK nuk ekziston fare dhe është një institucion i kapur. Shembja e Teatrit Kombëtar, tashmë faktohet se ishte një krim i rëndë kushtetues dhe ligjor”, tha ai.
Ndërkohë edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, reagoi pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për Teatrin Kombëtar, e cila la në fuqi shembjen, por pezulloi ndërtimin e teatrit të ri, si dhe shfuqizoi vendimin e Këshillit të Ministrave për ta kaluar në pronësi të bashkisë. Veliaj thekson se Gjykata Kushtetuese i ka dhënë të drejtë bashkisë, duke lënë në fuqi vendimin për prishjen e Teatrit Kombëtar, ndërsa thekson se duhet ecur përpara me ndërtimin e asaj që ai e cilësoi si shtëpia më të madhe dhe më moderne të teatrit në Ballkan.
Tani të ecim përpara e të ndërtojmë shtëpinë më të madhe e moderne të Teatrit në Ballkan. Boll humbëm kohë me histeri, si me çdo projekt të madh! Gjykata Kushtetuese i jep të drejtë Bashkisë së Tiranës, lë në fuqi vendimin për prishjen e Teatrit Kombëtar”, tha ai.
Diskutime rreth kësaj post