Kryeministrit Edi Rama duket se nuk i del inati me Bashkimin Europian dhe qasjen e këtij të fundit sa i takon çeljes së negociatave me Shqipërinë. Pak ditë më parë ministrat e Jashtëm të BE bllokuan nisjen e bisedimeve Tiranë-Bruksel, për shkak të vetos së Sofjes ndaj Shkupit zyrtar. Por ky vendim ka zhgënjyer kryeministrin Rama. Teksa ndodhej në Ohër për një vizitë zyrtare, shefi i qeverisë shqiptare shfrytëzoi fjalën në “Forumin e Prespës për Dialog” për të komentuar edhe një herë vendimin për të mos hapur negociatat për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, ndërsa shpërtheu në sulme e akuza të ashpra ndaj Bashkimit Europian. Prerë dhe qartë zoti Rama u shpreh se faji për bllokimin dhe ngecjen e negociatave e ka BE-ja, që sipas tij, është në depresion. Madje, kreu i ekzekutivit nuk kurseu ironinë, duke deklaruar se Bashkimi Europian po zbavitet me Ballkanin Perëndimor, por shtoi se pavarësisht kësaj, ai nuk ka arsye të ndihet i mërzitur.
“Nuk jemi të frustruar dhe në depresion, jemi super. Sinqerisht ua them. Janë më depresivë prej nesh në BE, më nervozë. T’i lënë të gjithë, nuk do të lusim, nuk do të themi që jemi djem të mirë, çuna të mirë. Ne thjesht jemi fëmijë që rritemi. Meqë u vonuam në këtë drejtim, kemi histori të tmerrshme, kufizime të tmerrshme. Dhe në konferenca ata na masin në pritje sikur po na japin gjithë shtëpinë. S’doni konferencë me ne? Shumë mirë, një konferencë më pak për ne. Çfarë t’ju themi këtyre djemve, mos u shqetësoni, ne jemi me ju, ju nuk jeni me ne, jeni në Austri e Poloni. Nuk jeni me ne, nuk na duhet një gjë e tillë. Ata mund të bëjnë siç mendojnë, mund të bllokohen në mekanizmin e tyre të konsensusit. Djema na vjen keq me ju, do ju mbështesim, mos u mërzisni, do ju mbështesim edhe pse jeni të mërzitur. Keni një vend për t’u zbavitur dhe ky vend është Ballkani Perëndimor. Pra mos mendoni se jemi në depresion, jemi super”, deklaroi kryeministri Edi Rama.
Por kritikat që lëshoi kryeministri në adresë të Bashkimit Europian sa i takon vendimit për të mos hapur negociatat, duket se nuk janë mirëpritur nga kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha. Ky i fundit ka reaguar dje ashpër në rrjetet sociale, ndërsa e cilësoi kryeministrin Rama si të korruptuar. Madje, kryedemokrati Basha shkoi përtej teksa i quajti Ramën dhe Zaev si autokratë të korruptuar që fajësojnë BE-në, në vend që sipas tij, të shohin problemet në Shqipëri e Maqedoni të Veriut.
“Ishte një kohë kur zyrtarët e BE-së si Reinhard Priebe folën për shkeljet e autokratëve të Ballkanit mbi Demokracinë dhe Sundimin e Ligjit dhe kryeministrat e Ballkanit dhe kolegët e tyre u drodhën, reflektuan ose u larguan me votë. Duket se për momentin gjërat kanë ndryshuar. Autokratët e korruptuar të Ballkanit kanë guximin të hedhin fajin te BE për mungesën e përparimit, në vend të goditjeve të tyre të tmerrshme ndaj demokracisë dhe sundimit të ligjit. Të flasësh me zë të lartë dhe të veprosh kundër autokracisë është mënyra e vetme për të mbrojtur demokracinë dhe aspiratat e njerëzve në Ballkanin Perëndimor”, deklaroi kreu i PD, Lulzim Basha.
Diskutime rreth kësaj post