Deputeti Myslym Murrizi nga foltorja e Kuvendit, foli sa u përket kalimeve të fundit të figurave politike nga LSI drejt Partisë Socialiste.
Murrizi tha se figurat e LSI-së që kanë kaluar së fundmi tek PS, janë pjesë e një marrëveshje të madhe mes dy tufa hajdutësh, të palaçove të politikës në kurriz të shqiptarëve. Ai deklaroi se në kurriz të shqiptarëve po luhet një lojë jo e pastër.
“Ishte gallatë estrada e 4 viteve të fundit, ku gjoja pamë një betejë 3D mes PS dhe LSI, fushatë me autobus ku kërkohej vetëm timoni e tepsia pavarësisht se LSI i kishte lidhur duart qeverisë. Këto ditë po shohim një merkato dimri të lezetshme të ish-ministrave të LSI që po ftohen një e nga një në sofrën e partisë së virgjër me të cilën qeverisën njëherë pas marrëveshjes së qelbur të 1 prillit”, tha ai.
Teksa foli për vitet gjatë të cilave ai ka qenë pjesë e politikës, ai u shpreh se gjatë kësaj kohe sipas tij nuk ka marrë asnjë përfitim. Ai hodhi akuza në drejtim të qeverisë se po merr deputetët e partive të tjera, ndërsa e cilësoi këtë si një marrëveshje mes partive.
“Duke e parë këtë si njeri që kam qenë 30 vite në politike, kam qenë në politikë dhe unë po s’kam përfituar asnjë lekë, asnjë koncesion, po e shikoj se si po bëhet beteja false dhe hipokrite 3D. Lefteri ka kohë që është me ju, Nasipin e ftuat në dasmë me video 3D, Silvën e ka ftuar Ervini sot, ka ngel pa punë veç Peç Vasili, një Mond e siguruat në Presidencë, një tjetër thuhet se do ikë sërish. Kjo është një marrëveshje e madhe mes dy tufa hajdutësh, të palaçove të politikës”, tha ai.
Sakaq, deputeti Myslym Murrizi ngriti pyetjen se cilët do të jenë deputetët e radhës të cilët do të marrë PS. Ai vijoi më tej duke thënë se deputetët të cilët nuk kanë pasur lidhje me aferat sipas tij ndihen të kërcënuar nga lukunia e hajdutëve.
“Cili ministër ka ngelur pa ftuar nga aleanca juaj e 4 viteve më parë? Cili ka ngelur pa ftuar në partinë tuaj të virgjër? 30 vite e njëjta estradë, të njëjtët aktorë, të njëjtët grykës. Besoj se edhe deputetë të nderuar të PS që s’kanë gisht në afera, që kanë ardhur këtu me dinjitet, ndjehen të kërcënuar nga lukunia e hajdutëve të shpallur nga këta këtu në 2017. Më vjen për të vjellë kur kujtoj se çfarë keni thënë për këta ministra që sot i fusni ca me kokë e ca me të ndenjura në partinë tuaj”, theksoi ai.
Diskutime rreth kësaj post