Teksa ka komentuar zhvillimet më të fundit në vend dhe sidomos debatin mbi “Ndranghetën”, kreu i Bindjes Demokratike, Astrit Patozi deklaroi ditën e djeshme se përgjimet e Antimafies italiane dhe emrat e politikanëve shqiptarë që përmenden aty tregojnë se vendi ka nevojë për një ndryshim të thellë.
Gjatë një prononcimi për mediat, zoti Patozi theksoi dje se vota e 25 prillit duhet të shërbejë jo thjesht për të sjellë rotacionin, por sipas tij, për të ndryshuar politikëbërjen në vend e për të ndëshkuar këtë klasë politike.
“Ajo pjesë e politikës e helmuar të cilës ne i kemi dalë përballë është pikërisht ajo që duhet ndëshkuar në 25 prill. Sepse fakti që është edhe opozita e kompromentuar edhe qeverisja e korruptuar e Edi Ramës që përmendet ne ato përgjime të Ndranghetas, pavarësisht besueshmërisë së plotë apo deri në një farë mase të atyre fakteve që kanë dalë deri më sot, prape se prapë tregon se cila është politika që duhet të ndëshkohet”, deklaroi ai.
Por ndërsa nga zgjedhjet na ndajnë vetëm 90 ditë, zoti Patozi u shpreh se forcat e reja politike do të bëjnë diferencën në 25 prill, kjo pasi sipas tij edhe për faktin se ato janë të vetmet që do të respektojnë vullnetin e qytetarëve për hapjen e plotë të listës së kandidatëve për deputetë.
“Po të shikoni ne jemi e vetmja ofertë që kandidojmë me listë të hapur ndryshe nga pala tjetër, apo pjesa tjetër e politikës e cila nuk ka ndryshuar asgjë. Dhe për këtë mjafton të shohësh pazarin e fundit të një vendi të sigurtë në listë që po zhvillohet në selinë e Partisë Demokratike e që është një shëmti dhe një pasqyrë e degradimit të politikës në këto vitet e fundit”, u shpreh ai.
Por ndërsa Astrit Patozi e Jozefina Topalli do të garojnë së bashku në një koalicion, kreu i Bindjes Demokratike ftoi edhe parti të tjera t’i bashkohen aleancës së tyre.
“Ne kemi rënë dakord parimisht dhe me shumë gjasa mund të arrijmë një marrëveshje me zonjën Topalli e me të tjerë, sepse nuk është e thënë që ne duhet të mbyllim dyert, ka edhe forca e personazhe të tjerë politikë që mund të bashkohen në një listë”, nënvizoi Patozi.
Në 15 shkurt është afati i fundit për regjistrimin e partive politike në zgjedhje, moment i cili vlen edhe për koalicionet për shkak se e vetmja hapësirë për të garuar është ajo me një listë të përbashkët kandidatësh. Deri më tani përveç partive të drejtuara nga Patozi e Topalli, në zgjedhje kanë lajmëruar se do të garojnë edhe 3 forca të reja politike si Nisma e Rudina Hajdarit, Lëvizja e Myslim Murrizit dhe Lëvizja Vetëvendosje.
Diskutime rreth kësaj post