Qeveria hungareze paraqiti në Parlament disa projektligje kundër korrupsionit, për të shmangur humbjen e miliarda eurove nga fondet e Bashkimit Evropian. Pra kryeministri Viktor Orban është “zbythur”. Ekzekutivi i Bashkimit Evropian rekomandoi pezullimin e fondeve me vlerë 7.5 miliardë euro (7.48 miliardë dollarë) për shkak të asaj që e sheh si dështim të Hungarisë për të luftuar korrupsionin dhe për të mbështetur sundimin e ligjit. Komisioni Evropian përcaktoi gjithashtu kërkesat për Hungarinë për të mbajtur aksesin në financim, duke përfshirë legjislacionin e ri, të cilin Hungaria tha menjëherë se do ta përmbushte. Është rasti i parë i tillë në BE nën një sanksion të ri që synon të mbrojë më mirë sundimin e ligjit dhe të luftojë korrupsionin në bllokun 27-vendesh.
Zëdhënësi i qeverisë Zoltan Kovacs shkroi në Twitter vonë të dielën se qeveria do të dorëzonte legjislacionin në Parlament të hënën dhe të premten, “përfshirë propozime për të ngritur autoritetin që do të mbikëqyrë procedurat e prokurimit publik të BE”. Kryeministri nacionalist Viktor Orban, në pushtet që nga viti 2010, është përplasur me Brukselin në mënyrë të përsëritur për politikat e tij që ai i sheh si gërryerje të demokracisë në vendin e Evropës Qendrore.
Megjithatë, me sfida të mëdha në vend mbi rritjen e kostove të energjisë dhe inflacionit dyshifror, një forintë të dobët dhe një ekonomi të ngadalësuar, kryeministri veteran duket i gatshëm të përmbushë kërkesat e BE-së për të krijuar më në fund institucione që do të ulnin rreziqet e korrupsionit në projektet e financuara nga BE. Ministri i Zhvillimit Tibor Navracsics, i ngarkuar me negociatat me BE, tha të dielën se Hungaria do të përmbushë të 17 angazhimet e saj të bëra ndaj Komisionit Evropian për të shmangur humbjen e çdo financimi të BE-së.
Diskutime rreth kësaj post