Deklaratat e djeshme të kryeministrit Edi Rama në mbrojtje të vetes dhe 3 ministrave përgjegjës për këtë skandal, Belinda Balluku, Pirro Vëngu dhe Mirela Kumbaro dëshmojnë, jo vetëm papërgjegjshmëri, por edhe mashtrim të hapur. Rama tha dje në Kuvend se qeveria nuk ka punë me mbetjet toksike dhe se ato janë përgjegjësi e një kompanie private. Ky qëndrim është skandaloz, pasi Porti i Durrësit është një ndërmarrje publike, por edhe private po të ishte, shteti është i detyruar të zbatojë me rreptësi ligjet kombëtare dhe ndërkombëtare të transportit detar të mallrave, ku përcaktohet qartë inspektimin dhe ndalimin ose lejimin e çdo ngarkese me mbetje toksike që del, hyn apo kalon nga Porti i Durrësit në kundërshtim me ligjet e vendit dhe ato ndërkombëtare.
Hijet e dyshimta të sqarimit të kryeministrit
Në fillim të gushtit ‘Basel Action Netëork”, një organizatë mjedisore me qendër në Shtetet e Bashkuara, ngriti alarmin se 100 kontejnerë me mbetje të rrezikshme, që del nga hiri i oxhaqeve metalurgjike elektrike, ishin ngarkuar në korrik në Portin e Durrësit me destinacion Tajlandën. Por kryeministri tha se nuk kishte asnjë analizë apo provë të faktuar për pretendimet e ngritura nga BAN, ndërsa hoqi përgjegjësinë e organeve ligjzbatuese në rast dyshimet vërtetoheshin si të vërteta. “Në çdo deklaratë e në çdo dokument të paraqitur nga subjektet private, si pjesë e procedurave të eksportit, është shumë e qartë se eksporti i mallrave në fjalë nuk është eksport mbetjesh të rrezikshme”, tha Rama i thirrur në interpelancë urgjente nga opozita.
Më tej ai pretendoi se “autoritetet shqiptare nuk kanë miratuar, në këtë rast, asnjë autorizim specifik për eksport mbetjesh të rrezikshme për ngarkesën e dyshuar”. Sipas Ramës, përgjegjësia për të deklaruar ngarkesën si mall i rrezikshëm është detyrim ekskluziv i eksportuesit apo i importuesit dhe se do jenë hetimet që do të tregojnë nëse ka pasur ‘mashtrim” nga kompanitë e përfshira në proces. Kryeministri lexoi pasazhe të ligjit në fuqi për “Menaxhimin e integruar të mbetjeve” që parashikojnë mënyrat e rikuperimit, asgjësimit, apo transportimit të mbetjeve të rrezikshme, por nuk qe në gjendje të përgjigjej nëse në Shqipëri prodhohen këto mbetje, sa prodhohen, ku shkojnë, a përpunohen apo jo, etj..
Kryeministri nuk jep sqarime
Rama gjithashtu nuk u dha përgjigje pyetjeve të ngritura nga opozita si; “kujt i përkasin mbetjet e rrezikshme, si janë krijuar apo kanë mbërritur në Shqipëri, si janë trajtuar, çfarë veprimesh, kontrollesh apo aktesh mbikëqyrëse kanë ndërmarrë institucionet, si janë lejuar të eksportohen pa lejet përkatëse nga Porti i Durrësit, etj..” Nga ana tjetër, ai solli të dhëna që tregonin për një eksport të vazhdueshëm të mbetjeve nga Shqipëria drejt vendeve të tjera. “360 njësi kontejnerike të tilla janë pranuar nga autoritetet doganore të vendeve aziatike në 10 muajt e fundit”, tha ai, duke shtuar se edhe Spanja, Franca, Belgjika, Izraeli dhe Turqia kishin pranuar ngarkesa të ngjashme në 5 vitet e fundit. “Vlen të theksohet se njëra prej këtyre kompanive, aktualisht pjesë e këtij rasti që po hetohet në bashkëpunim me Agjencinë Europiane kundër mashtrimit, ka eksportuar ngarkesa të tilla drejt Spanjës dhe Turqisë,” pretendoi ai.
Dokumenti
Por dje gjithashtu ka dalë dhe një dokument alarmant që rrëzon mbrojtjen që Edi Rama i bëri nga Kuvendi, trafikut të mbetjeve toksike. Një inspektim i Agjencisë Kombëtare të Mjedisit, i kryer me urdhër të Mirela Kumbaros ka zbuluar në kompaninë Sokolaj, 20 mijë tonë mbetje të rrezikshme, të cilat sipas raportit nuk kanë dokumente origjine, por as dokumente se ku janë eksportuar. Ky dokument zbardh një skandal të madh, pasi sasia e mbetjeve toksike është disa herë më e madhe nga sa është raportuar deri më sot, ndërsa konfirmon shkeljet ligjore të institucioneve për mbajtjen në kontroll të këtij aktiviteti. Me shkresë numër 193 datë 23. 08. 2024, Mirela Kumbaro urdhëroi “Verifikimin e subjekteve që gjenerojnë mbetje industriale”, ku janë kontrolluar 26 subjekte.
Verifikimi i kryer në kompanisë Sokolaj, rrëzon plotësisht mbrojtjen e kryeministrit dhe thellojnë edhe më tepër skandalin, pasi nuk bëhet fjalë për vetëm 800 tonë mbetje të rrezikshme, por plot 20 mijë tonë mbetje të rrezikshme që janë zhdukur pa gjurmë, e sipas agjentëve janë eksportuar jashtë Shqipërisë. Pas inspektimit të kryer në subjektin Sokolaj, Inspektorët e Agjencisë Kombëtare të Mjedisit Raportojnë se: ‘Në lidhje me situatën operatori Sokolaj shpk ka marrë nga shoqëria ‘Kurum Internacional’ mbetje te smarcit dhe okalinës, të cilat klasifikohen si okside hekuri me kodin sipas katalogut shqiptar të mbetjeve është 10 02 10 е parrezikshme dhe sasia është 2800 tonë dhe e ka eksportuar jashtë Shqipërisë. Ka marrë mbetje të pluhurave të filtër kapëses nga shkrirja e metaleve, e cila është oksid zinku dhe sipas katalogut shqiptar klasifikohet si mbetje e rrezikshme me kodin 10 02 07*, dhe e ka eksportuar jashtë Shqipërisë, sasia është 20 000 tonë.
Shkeljet
Nga konstatimet dhe shkeljet e kërkesave ligjore rezulton se:
1. Nuk disponon dokumente transferimi për mbetjet jo të rrezikshme e marra nga shoqëria Kurum Internacional sha.
2. Nuk dispononte dokumente dorëzimi për mbetjet e rrezikshme të marra nga shoqëria Kurum International sha. Ky raport Agjencisë Kombëtare të Mjedisit, që mbahet sekret, fakton trafikun e mbetjeve toksike dhe ngre pikpyetje të mëdha, se: Cila është origjina e këtyre mbetjeve? Nëse ato janë prodhuar në Shqipëri, a janë raportuar çdo 3 muaj pranë autoriteteve siç e parashikon ligji dhe në mungesë të raportimeve, a kanë ushtruar kontroll insitucionet në këto subjekte sipas detyrimeve ligjore? Nëse këto mbetje toksike nuk u raportuan në Institucionet e Ministrisë së Mjedisit, pse nuk veproi dogana e Portit të Durrësit, për verifikimin e tyre, po sipas ligjit dhe VKM-së së firmosur nga Edi Rama?
Diskutime rreth kësaj post