Kryeministri Edi Rama ka folur së fundmi në lidhje me situatën e koronavirusit në Shqipëri. Në një lidhje me Skype në emisionin “Përballë”, Rama u pyet se kush ia kishte sugjeruar masat drastike dhe tha se ishte vetëdija.
“Vetëdija që ne do të bëheshim gazi dhe turpi i botës,” – tha Rama.
I pyetur nëse është e përgatitur Shqipëria për një valë të dytë të Covid-19, Rama tha se nuk dihet ende nëse është përballuar vala e parë.
“Nuk dihet ende nëse kemi kaluar valën e parë. Jemi në një situatë somnambolike. Me sytë mbyllur dhe me duart përpara për të prekur vendet ku ecim. Tani jemi nën parashikimin tonë, por nga dita në ditë mund të ndeshemi me befasi,” – shtoi Rama.
Ndërkohë prej tre javësh Shqipëria është izoluar totalisht në karantinë për shkak të situatës së krijuar nga koronavirusi. Rama ka lajmëruar një lehtësim të masave drastike dhe është shprehur se kjo gjë varet nga mënyra se si njerëzit respektojnë distancimin social dhe rregullat.
Në Shqipëri ka shkuar në 383 numri i të infektuarve nga koroanvirusi. 22 persona kanë ndërruar jetë, ndërsa 131 të tjerë janë shëruar. Tek Infektivi asnjë pacientë nuk është në intubacion, ndërsa tek “Shefqet Ndroqi” 3 janë në gjendje të rëndë. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, qytetarët duhet të kufizojnë takimet me njëri-tjetrin, pasi sipas rasteve të fundit virusi po përhapet brenda rrethit familjar.
Diskutime rreth kësaj post