Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka komentuar çështjen e ndërtimit të shkollave të reja, ku në një intervistë, Veliaj nënvizoi se kosto për metër katror e bashkisë për këto institucione, është njësoj me koston e ndërtimeve në Tiranë.
“Po të shikoni shkollat që po ndërton BE me PNUD, së pari kanë filluar më vonë se kanë burokraci, njëra ka burokraci në Bruksel, tjetra në Nju Jork, dhe së dyti, janë kosto më të larta, se janë futur edhe konsulentët e huaj dhe kosto administrative e dy administratave të BE dhe OKB, ndërkohë që kosto për metër katror e Bashkisë së Tiranës është sa është ndërtimi në Tiranë. Kur dëgjoj Sali Berishën që është qartazi një guru i ndërtimtarisë, arkitekturës dhe urbanistikës, që flet që shkollat bëhen me 60 euro metri katror. 60 euro metri katror nuk është sot një metër katror parket ose pllaka.
Sot kostoja e ndërtimit është 400 euro metri katror. Nëse shkolla është 10 mijë metra katrorë, atëherë llogaria del 4 milionë euro. Pyetja është: Pse duhet të jetojnë fëmijët në kushte të stallave që kishim, që ne i quanim shkolla dhe ndërkohë, politikanët, s’ka problem që shtëpitë e tyre t’i kenë më këto standarde. Nëse Saliut i bën shtëpia 60 euro metri katror, do shkojmë t’ia blejmë sot dhe do ta kthejmë në Mësonjëtoren e parë te rruga ‘Mustafa Matohiti’. Po Saliut i bën shtëpia 2500 euro metri katror dhe në atë zonë çmimi ka shkuar edhe mbi 3000, sidomos tek kullat ku jeton ai, ku ka zyrat”, tha Veliaj.
Diskutime rreth kësaj post