Kryebashkiaku aktual i Vlorës, Dritan Leli, ka publikuar një foto ditën e sotme, ku shihet duke i shtrënguar dorën kandidatit të PS për zgjedhjet e 14 majit, Ermal Dredha.
Përmes një postimi në “Facebook”, Leli uron që Dredha t’i shtojë qytetit energjinë e turizmit që duhet të shtrihet në çdo muaj të vitit.
Theksojmë se ky është një gjest për t’u admiruar nga ana e Lelit, i cili uron kandidatin që mendohet se mund të jetë pasardhësi i tij, pasi siç e dimë ai nuk do të rikandidojë në zgjedhjet vendore të 14 majit për një mandat të tretë.
Postimi i plotë i Dritan Lelit:
“Përpara të gjitha sfidave dhe stereotipit të ashpërsisë që shfaq për së pari Vlora, për kë nuk ia njeh zemrën e butë, Ermal Dredha, kandidati i Partisë Socialiste për të drejtuar bashkinë e qytetit, në prag të mandatit, është gati.
Është gati prej venave të historisë që ai dhe familja e tij i njeh qytetit, prej gatishmërisë që përvoja administrative i ka dhuruar ndër vite dhe është gati prej dëshirës për të shpënë përpara të gjitha qëllimet zhvilluese të qeverisë shqiptare që sot e gjithë ditën janë bërë e po bëhen në Vlorë.
Prandaj, bashkë me mirënjohjen për ç’jetova këto tetë vite e mundësinë e pashlyeshme që m’u dha për t’i shërbyer këtij qyteti, si asnjë i dytë, i uroj Ermalit t’i shtojë shpirtit të këtij vendi të bekuar, energjinë e turizmit që duhet të shtrihet në çdo muaj të vitit sepse nuk ka tjetër si ajri i këtij deti që qetohet mes një ishulli e gadishulli, përballë jetës”, shkruan ai.
Diskutime rreth kësaj post