Numri i të prekurve me koronavirus vijon të jetë i lartë. Edhe ditën e djeshme është shënuar një numër relativisht i lartë i të infektuarve me COVID-19. Në 24 orët e fundit janë kryer 297 testime nga të cilat janë konfirmuar 20 raste pozitive.
Krahasuar me shifrat e dy ditëve më parë, ka rënë vetëm me një numri i të infektuarve. Sakaq 20 raste janë të shpërndara përkatësisht, 15 raste në Tiranë, 2 raste në Krujë, 2 në Durrës, dhe 1 rast në Kamëz. Janë testuar po ashtu 65 personel shëndetësor nga të cilët kanë rezultuar pozitivë 4 raste. Në njoftimin e përditshëm të bërë nga Ministria e Shëndetësisë, është bërë me dije se, rastet e identifikuara në 24 orët e fundit janë kryesisht kontakte të rasteve të zbuluara nga hetimi i kryer, dhe disa raste të reja për të cilat po vijon hetimi epidemiologjik.
Ndërkaq, ISHP ka theksuar në njoftim se, në spitalin infektiv aktualisht po trajtohen 21 të prekur, nga të cilët 5 janë në terapi intensive, njëri prej tyre është i intubuar. Rreth 8% e të prekurve aktivë po trajtohen në spital kurse pjesa tjetër po ndiqen nga mjekët e familjes. “Në vendin tonë janë 253 persona aktivë me COVID-19, kryesisht në Tiranë, Durrës dhe Krujë. Në 24 orët e fundit janë shëruar 7 qytetarë, duke e çuar në 898 numrin e të shëruarve. Nga fillimi i epidemisë janë kryer mbi 16500 testime molekulare dhe serologjike dhe janë konfirmuar pozitivë 1184 raste”, ka bërë me dije Instituti i Shëndetit Publik.
Sakaq, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale u ka bërë ftesë qytetarëve që të tregohen të kujdesshëm, duke respektuar rregullat e vendosura, për të ruajtur veten dhe të afërmit. “Mos neglizhoni shenjat e sëmundjes dhe për çdo shqetësim telefononi në numrin unik të Urgjencës Kombëtare, 127. Për informacion në lidhje me COVID-19 dhe këshillim psikologjik, ju lutemi, telefononi në linjën e gjelbër 0800 40-40”, thuhet në njoftimin e MSH.
Ja si do bëhet aplikimi për plazhet
Kryeministri Edi Rama me anë të një postimi në rrjetin social Facebook, ka sqaruar ditën e djeshme mënyrën se si do të bëhet aplikimi për të ushtruar veprimtarinë në zonat e plazhit. Kryeministri ka sqaruar se ky aplikim do të bëhet në portalin e qeverisë të vendosur në dispozicion të qytetarëve, në portalin e-Albania. Shefi i qeverisë ka theksuar në postimin e tij se në këtë mënyrë qytetarëve dhe pushuesve do t’u garantohet më shumë siguri.
“Në e-Albania https://e-albania.al/, aplikim për ushtrimin e veprimtarisë si stacion plazhi, për të garantuar sa më shumë siguri në mbrojtjen e shëndetit dhe për të mos lejuar më zaptimin e plazheve që për 30 vjet u ka nxirë pushimet njerëzve të këtij vendi”, ka bërë me dije Rama.
Më tej kryeministri ka sqaruar se të gjithë hotelet apo restorantet, pra çfarëdo shërbimi do duhet që të aplikojë në e-Albania që të marrin në përdorim një hapësirë të caktuar plazhi.
“Subjektet akomoduese apo shërbimi duhet të aplikojnë në e-Albania për marrjen në përdorim të hapësirës së plazhit përgjatë gjithë sezonit 2020, duke marrë përgjegjësi për zbatimin e rregullave dhe mosshmangur asnjë detyrim ndaj qytetarëve, bashkisë, shtetit”, bëhet me dije në postimin e kryeministrit Rama. Më tej ai ka sqaruar metodën se si do të bëhet aplikimi.
Shefi i qeverisë ka sqaruar se aplikimi mund të bëhet dhe nga telefoni. “Aplikimi është i thjeshtë dhe mund të bëhet edhe nga telefoni. Një sistem i ri këtë vit, që siguron transparencë, shmang zvarritjet po edhe allishverishet e të shkuarës dhe garanton paprekshmërinë e plazheve publike. Ndiqni videon e mëposhtme me të gjitha sqarimet e nevojshme! Zero kosto, zero ecejake, zero ryshfet! Me https:e-albania.al sezon të mbarë turisti”, ka përmbyllur sqarimin kryeministri Rama.
Diskutime rreth kësaj post