Plas në opozitë. Vënia në rresht e ambasadorëve për të mbyllur brenda dy ditësh reformën zgjedhore ka shkaktuar përplasje mes Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim.
Pas takimit që patën në rezidencën e ambasadores amerikane, Oert Bylykbashi dhe Petrit Vasili në mbrëmje shkuan në selinë e PD, ku u takuan me kryedemokratin Basha dhe lideren e LSI, Monika Kryemadhin, për t’i informuar mbi progresin që ishte bërë. Por mbledhja ka zgjatur përtej parashikimeve. Palët kishin rënë dakord që në 20.30 të mblidheshin sërish në rezidencë, por deri rreth orës 21.30 Vasili me Bylykbashin ishin në takim me Bashën e Kryemadhin.
Arsyeja që ka zgjatur ka shumë takimi është se palët kanë pasur mosmarrëveshje. Gazeta ka mësuar se ka pasur të bërtitura, ngritje zëri dhe debate shumë të forta mes palëve. Mësohet se çështja e përbërjes së komisioneve zgjedhore ka përplasur palët. LSI i druhet një marrëveshje të fshehtë mes PS dhe PD si ajo e 2017 dhe hilen e sheh te ndarja e komisioneve.
Mësohet se LSI nuk është dakordësuar me PD për shumë pika, gjë që ka bërë që të kemi dhe shtyrjen e takimit. Por debatet e djeshme treguan dhe një herë ftohjen në opozitë. PD dhe LSI u bënë bashkë për shkak të hallit të përbashkët, por jo se kanë program dhe ideologji të njëjtë. Halli është qeveria “Rama” dhe janë bërë bashkë për ta rrëzuar, por nuk kanë një koalicion të përbashkët. Edhe sa i takon zgjedhores palët gjithmonë kanë pasur ndarje. Financimi i partive ishte ajo që përplaste palët. PD kërkonte financim shtetëror, ndërsa LSI jo. Po nga ana tjetër dhe depolitizimi është pika që ka përplasur palët.
Propozimet e opozitës
Në mbledhjen e zhvilluar me ambasadorët, opozita ka dalë me 6 pika. Propozimi i parë ka të bëjë me qendrat e votimit dhe identifikimin biometrik të votuesve. Sipas opozitës, palët bien dakord për të zbatuar identifikimin biometrik në të gjithë Shqipërinë. Mësohet se në këtë mes ka hyrë BE, e cila garanton të financojë sistemin elektronik. Sa i përket qendrave të votimit, opozita ka propozuar një formulë edhe për përbërjen e tyre, me 3 komisionerë të propozuar nga partitë politike me fuqi vendimmarrëse, të cilët do të trajnohen nga KQZ. Ndërsa 4 komisionerë, me fuqi vëzhguese, do të emërohen drejtpërdrejt nga partitë.
PD është tërhequr nga propozimi i saj duke pranuar variantin e PS për riformulimin e KQZ, por PD kërkon të propozojë kandidatin për kryekomisioner. PD dhe aleatët sugjerojnë që trupi i apelimit të ketë 5 anëtarë, trupi rregullator të ketë nga 3 deri në 5 anëtarë, ndërkohë kërkohet që KQZ të ruajë të drejtën për të urdhëruar rinumërim të pjesshëm. Opozita kërkon edhe një rikompozim të qendrave të numërimit. Bie dakord me formulën e komisioneve të numërimit me 1 anëtar të propozuar nga KQZ ose 3+3 vëzhgues të vënë nga partitë politike në tavolinë, ose 4 përfaqësues të propozuar nga partitë më të mëdha politike në vend. Opozita është tërhequr nga propozimi që ankimimi të ndodhte në Kolegjin Zgjedhor me gjyqtarë që nuk e kanë kaluar procesin e veting-ut, por ankimi të ndodhë në Gjykatën Kushtetuese, pra me gjyqtarë që e kanë kaluar procesin e veting-ut.
Diskutime rreth kësaj post