Çmimet e banesave u rritën edhe në periudhën më të keqe që ekonomia ka përjetuar prej rreth 23 vjetësh. Mund të duket paradoks, por sipas Bankës së Shqipërisë, indeksi Fischer i çmimit të banesave në rang vendi, llogaritur nga Banka, shënoi rritje me 4.9% në gjashtëmujorin e parë të vitit.
Në veçanti për tregun kryesor, Tiranën, çmimet u rritën edhe më shumë se mesatarja kombëtare, me 6.5%. Çmimet mesatare në Tiranë raportohen të rritura ndjeshëm në zonat jashtë qytetit, ndërsa janë raportuar rënie të lehta në zonat qendrore dhe periferi.
Zonat bregdetare raportuan çmime mesatare rreth 15% më të ulëta, ndërsa zonat e tjera shfaqën ndryshime të vogla. Edhe çmimet e qirasë për gjysmën e parë të vitit raportohen të rritura.
Arlinda Kore, agjente imobiliare e ftuar në “Wake Up” në Top Channel tregoi edhe zonat që po kërkohen më së shumti së fundmi.
“Nuk mendoj se kemi pasur një rritje të konsiderueshme të çmimeve, por mund të përmendim zonat bregdetare që kanë pasur rritje të kërkesave dhe kjo ka çuar në rritje të çmimit. Kemi pasur një numër të lartë transaksionesh në bregdet, që nga Saranda, Drimadhe, Durrësi, Gjiri i Lalzit.
Tirana përfaqëson 60 për qind të tregut në gjithë Shqipërinë. Kështu që normalisht ajo do të ketë edhe ndryshimet.
Zona në rritje në Tiranë mund të përmendin zonën e Unazës së Re, Liqeni i Thatë, Liqeni i Farkës, janë zonat më të kërkuara. Rritja e taksave dhe cilësisë së ndërtimit ka ndikuar në rrjetet e çmimit, por edhe të qirasë”, – theksoi ajo.
Diskutime rreth kësaj post