Kryetari i PD-së Lulzim Basha ka folur për ofertën e kryeministrit Edi Rama për bashkëpunim pa vija të kuqe. Kryedemokrati gjatë takimit me demokratët e Dibrës tha se “armiku i demokracisë” po mundohet që të fshehë masakrën zgjedhore, ndërsa e cilëson ofertën e tij si një karrem për ndryshim të ligjit zgjedhor pasi ka bërë masakrën zgjedhore.
Pjesë nga deklarata e Bashës:
“Sot, kundërshtari politik, i cili në fakt, është armiku i demokracisë, i Shqipërisë dhe i dibranëve, po mundohet ta fshehë masakrën zgjedhore duke na shtrirë dorën për bashkëpunim, pa vija të kuqe siç thotë, duke hedhur karremin që hajde të ndryshojmë ligjin zgjedhor, pasi ka bërë masakrën zgjedhore.
Pra, duke dashur që në një moment ligështimi, dëshpërimi të qytetarëve, të kompromentojë të vetmen forcë që ai e di, që jo vetëm e ka përballë po që pavarësisht prej masakrës së 25 prillit, jo vetëm nuk u gjunjëzua, po doli më e fortë dhe më e bashkuar nga Dibra, anembanë Shqipërisë. Ndaj, me përgjegjësi dhe me barrë që na kanë ngarkuar shqiptarët, dibranët dhe mbarë shqiptarët për ndryshimin, sot, i vetëdijshëm për arritjet e kësaj beteje të pabarabartë, i vetëdijshëm për fuqinë që kemi projektuar vetëm përmes vlerave tona, dua t’ju them se zgjidhja që unë propozoj dhe me të cilën dua të vazhdoj t’ju ushëheq, nuk është ajo e kompromisit me të keqen por e betejës deri në fund për të çuar në greminë ata që i çuam buzë greminës me 25 prill.
Unë jam këtu për t’ju thënë që rrugë tjetër për Partinë Demokratike, rrugë tjetër për Shqipërinë nuk ka. Bashkë, gjithmonë e më të bashkuar, ta çojnë betejën deri në fund! Këtë betejë ne nuk e nisëm për veten tonë, këtë betejë ne nuk do ta vazhdojmë vetëm për veten tonë. Ne do ta vazhdojmë për të gjithë shqiptarët dhe siç i morëm shqiptarët në kutitë e votimit me 25 prill, ashtu do t’i marrim me vete në këtë betejë sepse fati i Shqipërisë, tashmë varet vetëm nga ne.“-shprehet Basha.
Diskutime rreth kësaj post