“Futbolli nuk është për hallexhinjtë”, deklaratë e bujshme apo e nxituar? Pak rëndësi ka, u tha mes një paneli sportiv duke befasuar ata pak vetë që vijojnë të besojnë ende në futbollin bio. Ndërsa pjesa dërrmuese, buzëqeshën. Vunë buzën në gaz sepse prej vitesh janë hasur me fenomenin dhe të detyruar kanë pranuar të largohen nga stadiumet. Aty ku harronin të gjithë problemet e përditshmërive të tyre, u përzunë pa takt. Aty ku qanin dhe qeshnin sepse jetonin me hallet e skuadrës së tyre të zemrës, sot kjo lidhje shpirtërore ka nisur të venitet.
Me politikat e saj, Federata Shqiptare e Futbollit u mundua të afronte tifozët në shkallët e stadiumit, por deri më tani ka arritur të surprizojë duke treguar ngjyrën e vërtetë të stolave. Ata që e zbukurojnë, ata që i japin jetë një impianti sportiv nuk janë më. Dhe e di pse? Frika i ka hyrë deri në palcë, jo se frikësohen nga ata që kanë përballë, por ashtu siç nuk besojnë në fundin e njerëzimit, kurrë s’duan ta pranojnë se duelet sportive kanë “vdekur”. Kanë nisur të distancohen për të mos u “groposur” të gjallë. Kurrësesi s’mund të adoptohen me faktin se në fushë qarkullojnë miliona euro dhe për këtë as që ia ndjen fare. Shifrat e “verdhushkave” s’janë për tifozët, ata njohin vetëm ato të statistikave të golave.
Hedhim sytë pak tutje dhe gëzohemi me Kosovën. Mrekullohemi jo vetëm me lojën e tyre në fushë, por në një hark kohor prej 2-3 vitesh arritën të mbushnin plot e përplot stadiumet së bashku me spektaklin. E ndoshta këtë ka mundur ta vërë re edhe Arben Dervishaj, anëtar i Komitet Ekzekutiv në Federatën Shqiptare të Futbollit. Zoti Dervishaj, a keni dëgjuar ndonjëherë për hallet e shumta të Kosovës, të shtetasve të saj? A keni marrë vesh se një biletë në Kosovë kushton 5-10 euro për të ndjekur përfaqësuesen? A e dini se në një ndeshje të kampionatit shifrat e tyre janë të papërfillshme? Nëse jo, po iu tregoj se edhe mes 10 mijë vetëve që mbushin stadiumin “Fadil Vokrri”, pjesa dërrmuese e tyre janë hallexhinj.
Po mendohet të bëhet një stadium modern, i ri dhe me gjysmën e buxhetit të atij që u ndërtua e famshmja “Arenë” e jona që qenka projektuar (sipas jush) për të pritur vetëm ata që kanë kollare dhe nuk llogarisin rrogën për të nxjerrë 10-ditëshin e fundit të muajit. E keni trumbetuar fort ndërtimin e saj, saqë edhe fushatat elektorale nuk të shfaqen kaq shumë përpara syve. Të gjithë e kanë pëlqyer, edhe pse janë të vetëdijshëm që ngjan më shumë me një “Kalë Troje” se sa një impiant sportiv. Kleçkat i ka brenda, por edhe jashtë sepse 100 metra kullë s’mund të fshihet.
I nderuar Dervishaj na mbërtheve përpara televizorit për të mësuar diçka më shumë për një impiant që për herë të parë ndërtohet në Shqipëri. Na e prezantuat me drita e me gjëra, e për një moment na u duk vetja si në disko. Eh sa bukur, se aty harrohen hallet…
Por, a u menduat dy herë kur thatë që futbolli s’është për hallexhinjtë? A ke dëgjuar ndonjëherë të flasin për legjendën Panajot Pano, “Tushen” e Tiranës apo Vasillaq Zërin e Dinamos? Kanë luajtur në kohërat kur të gjithë në darkë hanin nga një “çapë” bukë. Pra, ishin hallexhinj, por në fushë nuk pyesnin nëse kishin apo jo këpucë veshur. E tifozët në shkallët e stadiumit nuk shqetësoheshin nëse fëmijët kishin bukë në shtëpi sepse një ndeshje i zhdukte hallet e tyre për 90 minuta.
Ndoshta ke dëgjuar nga “paria” që ekonomia në vend është rritur ndjeshëm, por unë besoj dhe shpresoj që jeni i vetdijshëm që një rrogë mesatare është 300 mijë lekë (të vjetra). Qira, drita, ujë me taksa apo pa taksa, si t’i doni ju. Ama, gjithmonë është gjendur mundësia për të qenë në stadium nga ata, edhe pse politikat tuaja lënë për të dëshiruar. Edhe pse ju e thoni aq hapur se futbolli s’është për ata që kanë halle, të jesh i bindur që askush s’do të mund t’i ndalë. Nuk do t’i largojë dhe e di pse? Sepse dashuria për ekipin e tyre të zemrës është aq e madhe saqë nuk pyesin as për Arenë, as për FSHF. Lidhja e një tifozi me skuadrën, është tamam si ato dashuritë pa kushte, nëse keni dëgjuar ndonjëherë…
Ndoshta nuk kanë ato miliona eurot që qarkullojnë në kompanitë e tua të ndërtimit, ku mundësitë për të ndjekur edhe një finale Champions League ‘jetojnë’ shëndetshëm, por kanë dëshirën dhe dashurinë për të ndjekur të bredhë në fushë fanela me të cilën janë rritur. Kryefamiljarët heqin nga një copë buke nga goja për të qenë prezent, fëmijët mbledhin cikërrimat që të jenë aty për 11-heronjtë e tyre e ndërsa studentët sakrifikojnë duke lënë ndonjë libër për vjeshtë, në mënyrë që të mbështesin fort skuadrën e tyre. Ja pra zoti Dervishi, futbolli qenka më shumë për hallexhinjtë se sa ata që i janë mbuluar sytë nga “verdhushkat”. Ata nuk mungojnë nga Vermoshi e deri në Konispol. Nuk duan një karrige VIP për të mos iu zvogëluar palat e barkut, por mjafton një cep, qoftë e në këmbë për të shijuar atë që e kanë më të shtrenjtë: Pasionin për futbollin.
Ndoshta je nxituar në atë që keni thënë duke mos analizuar kaq gjatë, por unë jam i bindur që në subkoshiencën tënde janë më mirë 20 stadiume si legjendari “Qemal Stafa”, sepse emocionet e përcjella nga ai janë të papërsëritshme. Sepse atëherë luhej futboll, nga ai… që rezultati vendosej pas 90 minutave!
Diskutime rreth kësaj post