Juventusi u mund 2-0 nga zikaltrit mbrëmjen e së dielës dhe kritikat kanë qenë të shumta për trajnerin, i cili rrezikon shkarkimin. Kritika edhe nga Mançini
Juventusi po kalon një moment të vështirë dhe disfata me Interin e ka nxjerrë “zbuluar” skuadrën e trajnerit Andrea Pirlo, pasi ndaj zikaltërve nuk tregoi asgjë të madhe nga madhështia e vet. Tashmë “Zonja e Vjetër” po gjendet gjithnjë e më larg titullit, ndërkohë që kanë shpërthyer kritikat e forta ndaj trajnerit Pirlo, ndaj të cilit kanë vërshuar edhe kritikat nga ish-kolegë e bashkëfutbollistë me të tek kombëtarja italiane.
Kështu, mediat italiane shkruajnë se Juventus zhvilloi një performancë zhgënjyese në mbrëmjen e djeshme përballë Interit në transfertë. Bardhezinjtë u dorëzuan pa kushte ndaj zikaltërve me rezultatin 2-0, ndërsa pas sfidës ka pasur edhe kritika nga ana e legjendës së torinezëve, Alesandro Del Piero. Ish-futbollisti thekson se Juventusi ishte pa ide, por ka edhe një kritikë për Pirlon pasi ngre pyetje se pse duhej vendosur Ramsej në krahun e Hakimit, kur dihet se lojtari i Interit është impresionues.
“Mendoj se Juventusi luajti keq nga çdo pikëpamje. Kishin pak ide, nuk ishin agresivë dhe thuajse nuk goditën asnjëherë në portë. Meritë e Interit, por Juventusi në “San Siro” duhet të bëjë më shumë. Mendoj se nga fillimi, Juventusi u mundua të menaxhonte lojën në shpresë për të gjetur golin, por përballë gjeti përpara një skuadër perfekte. Inter luajti me qetësi dhe thjeshtësi, dinte gjithnjë çfarë të bënte në fushë, ndërsa bardhezinjtë ishin pa ide. Pse Ronaldo në të djathtë? Nuk mendoj se ai ka detyra të veçanta taktike, pyetja e vërtetë është pse është vendosur Ramsej para Frabotës, kur dihet që Hakimi është vërtet impresionues. Juventusi është në një periudhë ndryshimi, ndërsa Interi tregoi thuajse të gjithë potencialin e tij, them thuajse sepse sulmi shpërdoroi disa raste”, u shpreh Del Piero.
Ndërkohë, trajneri i Kombëtares së Italisë, Roberto Mançini, e ka paralajmëruar trajnerin e Juventusit, Andrea Pirlon, se të jesh trajner është shumë më ndryshe nga të qenet futbollist, pas fitores së Interit 2:0 në derbin e Serie A të dielën. Mançini u shpreh i lumtur që Nikoloi Barella shënoi golin në fitoren e Interit 2:0 kundër kampionit në fuqi. Sipas trajnerit italian foli edhe për garën për titull në Serie A, e cila duhet të jetë më interesantja në dekadën e fundit.
“Ishte ndeshje e bukur dhe isha i lumtur që shënoi gol Barela. Është fitore e mirë për Interin. Juventusi mund ta zhvillojë një lojë të dobët kohë pas kohe, kjo ndodh në futboll”, tha Mançini.
Pirlo po kritikohet shumë për taktikat e tij nga mediat italiane. “Është normale të kesh probleme në fillim. Edhe nëse ke top lojtarë, të jesh trajner është dallon nga të qenet futbollist. Është normale, përmirësimi vjen ngadalë”, shtoi ai. Interi është barazuar me pikë me liderin dhe rivalin Milan, por kuqezinjtë do ta zhvillojnë ndeshjen e kësaj jave sonte kundër Kaliarit. “Fillimisht, mendoja se Milani nuk do të mundë të duronte gjatë, por ende është lider. Nëse fiton ndaj Kaliarit, atëherë do të jetë shumë i rrezikshëm dhe pretendent për titull deri në fund të sezonit”, theksoi ai.
Diskutime rreth kësaj post