Zbardhet skema e aleatëve të Partisë Demokratike për të nxjerrë jashtë loje LSI. Në korridoret e politikës po flitet çdo ditë e më shumë për zgjedhje të reja dhe kjo ka bërë që në opozitë të nisë puna. Por duket se marrëdhëniet mes aleatëve të Bashës nuk janë dhe fort të mira.
PD nuk e ka ndarë ende mendjen nëse do ketë koalicion zyrtar me LSI, por nëse ndodh kjo, atëherë partitë e vogla do të dalin jashtë loje, pasi Kodi Zgjedhor favorizon 2 partitë e mëdha. Duke e ditur këtë gjë, PR, LZHK, PAA, PDK dhe PBDNJ kanë vendosur të marrin masa. Pak ditë më parë krerët e tyre i propozuan Bashës që në kuadër të reformës zgjedhor të bëhen ndryshime dhe të futet nocioni i koalicioneve brenda koalicionit.
Skema
Gazeta ka siguruar detaje nga skema që duan të ndjekin aleatët e Bashës. I gjithë debati bëhet për nenin 163 të Kodit Zgjedhor, pasi kërkohet që aty të bëhen ndryshime. Në këtë nen është përcaktuar skema aktuale se si ndahen mandatet brenda koalicionit. “Numri i votave të vlefshme të secilës parti pjesëtohet në mënyrë të vazhdueshme me numra natyrorë tek të njëpasnjëshëm, të quajtur pjesëtues, duke filluar me numrin 1 dhe duke përfunduar me numrin natyror që i korrespondon dyfishit të numrit të mandateve që shpërndahen në zonën zgjedhore përkatëse. Në rast se herësi që përftohet nga pjesëtimi është një numër me mbetje dhjetore, si herës merret numri i plotë më i afërt”, thuhet aty. Nëse marrim një shembull konkret, sipas ligjit KQZ bën fillimisht ndarjen e mandateve në rang qarqesh mes koalicionit fitues dhe atij humbës.
Ne po marrim si shembull një qark me 4 deputetë. Pasi ka marrë katër deputetë në këtë qark, koalicioni do të bëjë edhe ndarjen e mandateve brenda partive që përbëjnë koalicionin. Në shembullin tonë, koalicioni është i përbërë nga 5 parti. PD ka marrë gjithsej 11.500 vota, LSI ka marrë 4000 vota, PR ka marrë 2.700 vota, LZHK ka marrë 2000 vota dhe PAA ka marrë 842 vota. Sipas formulës, shuma totale e votave të secilës parti pjesëtohet progresivisht me numrat tek. Pra me 1, pastaj me 3, pastaj me 5, pastaj me 7 e kështu me radhë. Më pas, formula është e njëjtë me të gjitha koalicionet. Kjo do të thotë se, mandatin e parë e merr PD, pasi ka numrin më të madh të votave. Mandatin e dytë e merr LSI, pasi ka numrin e dytë më të madh të votave në tabelë. Mandati i tretë i kalon PR, ndërsa i katërti PD. Nëse marrim një skemë me më shumë mandate, shumica i kalojnë PD dhe më pas LSI. Ndërkohë partitë e voglat dalin jashtë loje. Po ashtu janë të rrezikuara edhe nëse nuk kapin pragun me 3 për qind, pasi në një qark mund të kenë vota, po nuk kanë në rang kombëtar. Pra në të gjitha rastet me skemën aktuale të koalicioneve mandatet i merr PD dhe LSI. Por aleatët propozojnë që me skemën e re, të gjitha partitë e vogla të quhen një. Në këtë mënyrë këto parti do të konkurrojnë kokë më kokë me LSI se kush do të marrë mandatet e fundit në koalicion. Nëse ata i mbledhin votat të gjitha, mund të ndodhë që kanë më shumë se LSI dhe ja marrin kësaj të fundit mandatet që sot i merr në sajë të favorit nga partia e parë.
Rreziku i LSI dhe dilemat e Bashës
5 aleatët e PD kërkojnë që ata të quhen një organizëm politik dhe në lista të vendosin emra deputetësh të përbashkët, jo lista të ndara. Në këtë mes duket qartë se rivaliteti është me LSI. Dihet që në pushtetin vendor këto parti kanë mbështetje dhe LSI do të goditej jashtë mase nga një skemë e tillë, pasi do të humbiste shumë këshilltarë bashkiakë. Por edhe në zgjedhjet parlamentare LSI është e rrezikuar, pasi është e detyruar që mandatet t’i ndajë me të vegjlit. Tani Basha është mes dy dilemave. Sipas burimeve të gazetës edhe dje aleatët e tij kanë pasur një takim në një hotel të njohur në Tiranë ku po diskutojnë për këtë çështje. Ata do të dalin me propozime konkrete dhe tani kreu demokrat duhet të zgjedhë mes tyre dhe LSI. Sipas burimeve kjo kërkesë ka krijuar sherr të madh brenda opozitës.
Diskutime rreth kësaj post