Fati i kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha për çështjen e lobimi të Partisë Demokratike në Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të jetë në dorën e gjyqtares Fatmira Hajdarit. Ditën e djeshme u hodh shorti në Gjykatën e Apelit për ankimin e bërë nga prokuroria, pas pushimit të çështjes në Shkallën e Parë për lobimin të PD-së në SHBA, ku kryedemokrati Basha u akuzua nga prokuroria për falsifikim të dokumenteve dhe vulave, por gjykata e pushoi çështjen.
Kështu, gjyqtarja Fatmira Hajdari, është caktuar me short për të gjykuar në Apelin e Tiranës çështjen e PD-së, ndërsa anëtarë të trupës gjykuese do të jenë Shpresa Beçaj dhe Alaudin Malaj. Kjo trupë do të gjykojë nëse vendimi i marrë nga gjyqtari Lazer Sallaku që pushoi hetimin ndaj kryedemokratit Basha është i drejtë ose jo. Pak ditë më parë, gjyqtari Lazer Sallaku i cilësoi provat të pavlefshme duke rrëzuar akuzën për falsifikim kundër Lulzim Bashës dhe dy zyrtarëve të tjerë të PD-së, pasi sipas tij, nuk faktohet një gjë e tillë.
Por prokuroria nuk ishte dakord dhe vendosi ta apelonte ndërkohë që grupi i prokurorëve u nda në dy qëndrime ku njëri prej tyre, Kol Hysenaj, kërkoi rikthim të akteve për vijimin e hetimeve, ndërsa tjetri vazhdimin e gjykimit.
Fati i Bashës në dorë të Hajdarit
Kështu që, tashmë verdikti final për këtë çështje pritet të merret nga Gjykata e Apelit, nëse do të lërë në fuqi vendimin e Lazer Sallakut apo do të pranojë kërkesën e një prej prokurorëve për të rikthyer aktet për hetim. Kjo do të thotë se nëse Gjykata e Apelit do të kërkojë hetimet për këtë çështje, gjasat janë që këtë dosje ta marrë në dorë SPAK. Por megjithatë, shorti duket si një ironi e fatit, pasi gjyqtarja e Gjykatës së Apelit, Fatmira Hajdari, është e ëma e deputetes Rudina Hajdari. Kjo e fundit është shpesh në shënjestër nga Partia Demokratike, pas mos zbatimit të urdhrit të lënies së mandatit të deputetit. Rudina Hajdari tashmë ka marrë një rol të ri në Parlament dhe se shfaqet si një lidere e opozitës së re. Ndërkohë që, dihen edhe marrëdhëniet e familjes Hajdari me lidershipin e PD-së, për shkak se Azem Hajdari ishte themelues dhe deputet i kësaj force politike, ndërsa edhe në ceremonitë përkujtimore gjyqtarja Fatmira Hajdari është parë në krah të kryedemokratit Lulzim Basha. Pra, tashmë mbetet në dorën e gjyqtares Hajdari që të vendosë, nëse do të tërhiqet nga kjo çështje, pasi mund të ketë edhe konflikt interesi nisur nga njohja që ka me kryedemokratin Lulzim Basha dhe rolin e vajzës së saj në konfliktin me shefin e selisë blu. Megjithatë, edhe nëse zonja fatmira Hajdari nuk tërhiqet, logjika të çon në faktin se një gjë të tillë do ta kërkojë vetë prokuroria, duke qenë se gjyqtarja në fjalë është në konflikt interesi. Sidoqoftë, mbetet për t’u parë në ditët në vijim se çfarë do të ndodhë më konkretisht.
Kreu i PD rrezikon 3-7 vjet burg
Por nëse kjo dosje rikthehet sërish për rihetim, akuzat e ngritura nga Prokuroria e Tiranës rrezikojnë që ta dërgojnë kryedemokratin Lulzim Basha dhe dy zyrtarët e tjerë të Partisë Demokratike, respektivisht ish-Sekretari i Përgjithshëm i PD, Arben Ristani dhe financieri i kësaj partie, Ilir Dervishi pas hekurave. Kjo pasi referuar veprës penale për të cilën akuzohen këta tre zyrtarët, Basha, Ristani dhe Dervishi rrezikojnë nga 3 deri në 7 vjet burg. “Falsifikimi ose përdorimi i vulave, i stampave apo i formularëve të falsifikuar ose paraqitja e rrethanave të rreme në këto të fundit, që u drejtohen organeve shtetërore, dënohet me burgim nga gjashtë muaj deri në katër vjet. Kur falsifikimi bëhet nga personi që ka për detyrë hartimin e tyre, dënohet me burgim nga tre deri në shtatë vjet”, thuhet ndër të tjera në nenin 190 në pikën 3.
Diskutime rreth kësaj post