Nënkryetari i PD-së Edi Paloka konfirmoi qëndrimin e selisë blu për të mos marrë pjesë në zgjedhjet lokale të 13 tetorit, të dekretuara nga presidenti i vendit Ilir Meta.
Në një prononcim për mediat, nr.2 i partisë më të madhe opozitare theksoi se është e pamundur që të marrin pjesë në këtë garë zgjedhore për aq kohë se Edi Rama mban ende postin e kryeministrit. Sipas Palokës, Rama duhet të largohet nga posti i kreut të qeverisë.
“Për ne dekreti i presidentit është i detyrueshëm për t’u zbatuar nga institucionet, pjesëmarrja apo jo e PD lidhet me rrethana te tjera.
Për ne nuk është e rëndësishme data e zgjedhjeve, për në të rëndësishme janë standardet”, shprehet zyrtari i PD-së.
Në lidhje me arsyet e mospjesëmarrjes në zgjedhjet e 13 tetorit, Paloka shtoi rezultatet e 30 qershorit tregojnë se 85% e shqiptarëve nuk e duan më Ramën si kryeministër, dhe për këtë arsye nuk mund të negociohet me të për zgjidhjen e krizës.
‘’Pozicioni i PD nuk ka ndryshuar në asgjë, dhe as i opozitës në përgjithësi. Sot kërkesa për largimin e Edi Ramës nuk është më vetëm e PD dhe e opozitës, janë mbi 85% e shqiptarëve që kërkojnë largimin e Ramës. Rama si kryeministër nuk mund të ulet në tavolinë me PD dhe me opozitën”, u shpreh ai.
Paloka sulmoi dhe KQZ-në, e cila sipas tij po zbaton vendimet e kryeministrit Rama.
“Kreu i KQZ në bazë të kërkesës së disa partive për pjesëmarrje në zgjedhje kërkoi të zhvillonte mbledhjen e KQZ. Dhe cila ishte përgjigja e Denar Bibave?
Përgjigja ishte ajo e Edi Ramës, që ne jemi në plazh. D.m.th. jo vetëm nuk zbatohet ligji dhe Kushtetuta, por sfidohet me arrogancë dhe cinizëm”, theksoi Paloka.
Disa ditë më parë, LSI, PAA dhe PR u regjistruan në KQZ për të marrë pjesë në zgjedhjet lokale të 13 tetorit. Kjo lëvizje 3 partive të bllokut opozitar ndan qëndrimet mes tyre dhe PD-së.
Diskutime rreth kësaj post