Nga Ana Limani
Kjo të dashur lexues është një pamje që shumica prej jush e kanë pare edhe më parë. Një recepsion në institucionin kryesor shëndetësor në një ditë normale shërbimi. Por e vetmja gjë që mungon është shërbimi. Dhe në këtë rast nuk bëhet fjalë për administratë, ku ka çështje që edhe mund të presin (edhe pse, as në këtë rast nuk ka arsye pse). Bëhet fjalë për shëndetin, ku çdokush që vjen ka një emergjencë.
Nuk e di nëse ka mungesë stafi, apo punonjëset ishin duke pirë kafen e 3-të të ditës, por di që është absurde. E sikur të mos mjaftonte, kur dikush me një fëmijë të sëmurë urgjente të drejtohet, të paktën gjëja minimale është ta presësh me një buzëqeshje. Sepse dhe pasi priti në radhë për shkak se nuk kishte shërbim ta drejtonte diku, sërish detyra e një mjeku pediatër nuk është të flasë ashpër dhe të frikësojë fëmijët. Edhe nëse është në orarin e tejzgjatur të punës.
Sikur të mos mjaftonte kjo, për arsye që vetëm ata “të brendshmit” e dinë, edhe pse është një fëmijë ai që ka nevojë për mjekun, ata të drejtojnë tek një mjek për të rritur. Tek i cili shkon, troket dhe ai nuk ndodhet aty. Normalisht minutat kanë kaluar dhe recepsioni është sërish bosh. E pasi pyet çdokënd që të del përpara dhe përgjigjet variojnë që nga “Është në reanimacion” “ Po printon ca gjëra” “ S’i kam numrin” apo “Nuk e di”, ku supozohet të përplasesh kur përballesh me jetën? Pret sërish në radhë së bashku me të tjerë me një hall më të madh a më të vogël se ty, por njësoj të rëndësishëm. Pret dhe një orë tashmë ka kaluar, dhe askush nuk ka ardhur të të japë një përgjigje të paktën, sepse shërbim jo e jo.
E kur mjeku vjen, ndihet sikur nuk është i detyruar të japë asnjë shpjegim, por gjithsesi mundohet të japë një të tillë duke thënë se është në punë jashtë orari dhe i duhet të jetë në disa vende njëkohësisht. E pasi cilësia e shërbimit lë tej mase për të dëshiruar, je disi e qetësuar që ky makth mori fund. E teksa del sheh të njëjtën skenë të përsëritet në fytyrat e njerëzve të dëshpëruar për shpëtim.
Kjo është mjekësia e shërbimi që duam? Je në institucionin kryesor të çdo urgjence dreqi e marrtë. Dhe urgjenca nuk pret derisa të plotësosh stafin e mbetur me pseudomjekë. Nuk pret që ti të trokasësh në çdo derë derisa të gjesh atë që duhet, pasi nuk ke asnjë udhëzim, asnjë drejtim. Urgjenca nuk lihet në duart e fatit. Sepse s’ka arsye që një mjek të mbajë njëkohësisht disa pozicione. Duhet një, dy dhe tre apo më shumë në çdo sektor të vogël. Duhen mjekë që nuk mbahen në punë jashtë orarit dhe në vend që të bëjnë të ndihesh mirë, të kujtojnë gjatë gjithë kohës se sa barrë ju shtua dhe me ty. Duhen mjekë që dinë të sillen, mjekë që dinë të komunikojnë.
Duhen institucionet përkatëse të reagojnë përballë një realiteti që ndodh përditë. Duhet duartrokitur përmirësimi i infrastrukturës, por jo kur ajo është jo funksionale. Jo kur ajo mbetet ashtu boshe pa asnjë shërbim. Nuk mund të heshtet më kur të gjithë vazhdojnë të jenë të papërgjegjshëm në pozicionin e tyre. Nuk mund të heshtet kur bëhet fjalë për shëndetin dhe jetën. Është gjëja më e shtrenjtë, dhe ndërkohë vendi ynë nuk investon as për një recepsioniste.
E ndërsa unë flas e shkruaj e nuk hesht për atë që ne të gjithë përballemi çdo ditë, me siguri një, apo shumë njerëz janë duke përjetuar të njëjtën situatë të shëmtuar në këto momente.
Diskutime rreth kësaj post