Në selinë blu vijojnë prej disa orësh mbledhjet paralele të Enkelejd Alibeajt dhe Sali Berishës, ku në fokus të diskutimeve është çështje e Presidentit të Republikës, por edhe zhvillimet brenda partisë më të madhe opozitare në vend.
Burime për mediat paralajmërojnë se nga selia blu priten sërish përplasje mes palëve në Partinë Demokratike.
Kjo për faktin se palët nuk kanë gjetur dakordësi mes tyre për procesin e Presidentit, ndërkohë që nga ana e tij, Berisha nuk pranon edhe që të jenë pjesë e grupit parlamentar të gjithë deputetët që e kundërshtojnë. Për këtë arsye, Berisha pritet që të zgjedhë një nënkryetar të PD nga radhët e tij. Kjo lëvizje e Sali Berishës pritet të krijojë sërish përplasje mes palëve, pasi do të kemi sërish dy grupe parlamentare dhe mbetet për t’u parë se cilin do të njohë Parlamenti i Shqipërisë.
Sa i përket çështjes së Presidentit, shumica e deputetëve demokratë, Alibeaj, Bardhi, Tabaku, etj., janë shprehur se nuk duan të vazhdojnë negociatat dhe diskutimet për të nxjerrë një emër për kandidat të mundshëm, pasi sipas tyre mazhoranca është tërhequr dhe ka prishur marrëveshjen. Ata thonë se nuk duan të bëhen pjesë e lojës, që sipas tyre, Rama po bën për zgjedhjen e Presidentit dhe që me gjasë do ta zgjedhë në raundin e katërt.
Nga ana tjetër, bëhet me dije se në këtë mbledhje të thirrur nga Alibeaj, pasi është diskutuar për çështjen e Presidentit, është diskutuar dhe një çështje tjetër, për të cilën pritet të ketë rezultate konkrete, dhe që bëhet fjalë për mënyrën dhe cilët do të jenë kandidatët që do të përbëjnë komisionet për Reformën Zgjedhore dhe atë Territoriale. Do të jenë disa deputetë të PD për grupet e punës, të ngritura për këto reforma.
Diskutime rreth kësaj post