Shkarkimi i Ardian Dvoranit nga Gjykata e Lartë dhe rrjedhimisht edhe nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi ka shkaktuar një sërë reagimesh. Këshilli i Lartë Gjyqësor pak ditë më parë me 6 vota pro dhe 4 kundër mori vendimin për ta shkarkuar nga detyra me argumentin se i ka mbaruar mandati.
Por Dvorani nuk është i vetëm që i ka mbaruar mandati dhe po vijonte të qëndronte në detyrë. Edhe Vitore Tusha vijon të jetë pjesë e Gjykatës Kushtetuese, ndonëse ka 3 vite që i ka mbaruar mandati. Në lidhje me këtë pikë, gazeta kontaktoi ditën e djeshme me avokat Spartak Ngjelën, i cili deklaroi se pas Dvoranit duhet t’i ndërpritet mandati edhe Vitore Tushës. “Normalisht që kur iu hoq mandati njërit, duket t’i hiqet edhe tjetrit, sepse është me mandat të përfunduar”, tha Ngjela në reagimin e tij për gazetën SOT.
Humbja e betejës së Metës
Ndërkohë që përmes një statusi në rrjetin social Facebook, Ngjela deklaroi se presidenti Ilir Meta ishte personi i vetëm që kërkonte shkarkimin e Dvoranit si anëtar i Gjykatës së Lartë, pasi sipas tij ai kërkonte largimin nga KED. Por sipas avokatit, Meta del i humbur nga kjo betejë, pasi largimi i Dvoranit do pasojë me largimin e Vitore Tushës nga Gjykata Kushtetuese, duke shtuar se kjo e fundit do të ishte një votë kundër shkarkimit të Metës. “Në fakt, Meta e donte largimin e Dvoranit nga Gjykata e Lartë, sepse me këtë akt Dvorani nuk mund të ishte më në KED. Por tani, menjëherë, vijnë e largohen nga KED edhe Dvorani edhe Vitore Tusha, por, në të njëjtën kohë, ndërsa Dvorani largohet nga Gjykata e Lartë, Vitore Tusha largohet nga Gjykata Kushtetuese. Duke ndodhur kjo, Metë mavria kuptohet se humb dy herë: ai tani humbet një votë në Gjykatën Kushtetuese dhe një votë në KED. Kjo do të thotë se, pas zëvendësimit të Dvoranit dhe Tushës, Meta humb çdo shpresë në KED dhe gjithashtu edhe në Gjykatën Kushtetuese, sepse në të dyja, Meta tani e tutje nuk ka më asnjë fuqi. Meta të gjithë këtë luftë derëziu e bëri sepse donte të garantonte votat në Gjykatën Kushtetuese, sepse ajo duhet të gjykojë shkarkimin e tij; por, me rrugën e tij, u fundos përfundimisht. Kuptohet se tani, amerikanët ia plotësuan Metës dëshirën për Dvoranin, por në fakt i morën edhe Vitore Tushën”, tha Ngjela. Avokati deklaroi se presidenti përfundimisht me nismën që nisi humbi shumicën e votave në favor të tij jo vetëm në KED, por edhe në Gjykatën Kushtetuese.
“Meta ndërkohë ka ulur kokën në jerm, kurse amerikanët sigurisht që po qeshin, sepse Meta përfundimisht i humbi të dyja shumicat për votat: edhe në KED, por edhe në Gjykatën Kushtetuese. Kështu po duket. Por, a mos vallë KLGJ do ta ndërrojë vendimin me të cilin para disa ditësh shkarkoi Dvoranin? Po të ndodhë kjo, Meta kalon nga tragjedia në komedi”, tha Ngjela.
Ngjela: Meta ka humbur sensin
Avokati shtoi më tej se presidenti Meta e ka humbur sensin nga frika e shkarkimit dhe për këtë sipas tij ai harroi që edhe gjyqtares së Kushtetueses ka 3 vjet që i ka mbaruar mandati.
“Historia na ka mësuar se kur të korruptuarit në politikë, që në çdo ditë i vjen rrotull në vërtitje akuza penale, ky e humb sensin logjik, dhe, si rregull, futet vetë edhe më thellë drejt vetëshkatërrimit. Historia tani na ka dhënë shumë shembuj të tillë, dhe dramaturgjia e ka parë rrahur shumë këtë subjekt në teatrin dramatik modern, madje edhe në komedi. Kështu i ndodhi edhe Metës me Dvoranin. Kjo, sepse, Meta, duke bërë përpjekjen një vjeçare që të largonte Dvoranin nga Gjykata e Lartë, me pretekstin që ky e kishte plotësuar afatin nëntë vjeçar të anëtarit të asaj gjykate, i doli në skenë edhe eliminimi i gjyqtares së tij kushtetuese Vitore Tusha. Kjo i ndodhi befas dhe jashtë vullnetit të tij, sepse edhe Tushës ka tre vjet që i ka mbaruar afati për të qenë gjyqtare e Gjykatës Kushtetuese”, tha Ngjela.
Diskutime rreth kësaj post