Deputeti Myslim Murrizi ditën e djeshme me anë të një statusi në rrjetin e tij social Facebook, deklaroi se Partia Socialiste dhe Partia Demokratike po bashkëpunojnë me njëra-tjetrën. Murrizi tha se kjo nuk është aspak për t’u habitur pasi këtë çështje ai e ka bërë të ditur dhe më parë në Kuvend apo edhe media.
Deputeti tha se Rama e Basha vjedhin bashkë e mashtrojnë së bashku të gjithë qytetarët. Sipas tij, ndryshimi i vetëm është në 20 ditët e fushatës që ata bëjnë lojë me njëri-tjetrin.
“Qenkan “habitur” shumë disa media që në projektin prej 2 miliardë euro të qeverisë Rama për portin e Durrësit paskan futur “pak” duart edhe familjarë të Bashës. Kam nga shkurti i vitit 2019 që deklaroj me fakte dhe emra në Kuvend e në çdo media që këta janë bashkë. Këta vjedhin bashkë, punojnë bashkë, tallen me shqiptarët bashkë i mashtrojnë qytetarët bashkë, i dhunojnë bashkë, i urrejnë, i përbuzin i përçmojnë bashkë, i vjedhin taksat e tyre bashkë. I vetmi ndryshim është në 30 ditët e fushatës çdo 4 vjet që bëjnë sikur këta nuk janë bashkë dhe qytetarët harrojnë çfarë ndodhi 4 vjet e mashtrohen nga loja e tyre për 30 ditë. A se desh harrova! Ndryshojnë edhe pak te çmimi që ofrojnë për votën. Ai që është në qeveri ka pak dorën më të lartë se ai që është në opozitë. Por edhe kjo është pjesë e marrëveshjes”, – tha ai.
Murrizi u shpreh se nëse do të hetoheshin tenderat e 6 qeverive do të shihej qartë se të gjithë kanë qenë bashkë me njëri-tjetrin. Ai tha se si PS ashtu dhe PD janë pjesë e së njëjtës tufë, por grabitqarët janë të ndryshëm. Sipas tij, kjo gjendje do të vazhdojë akoma dhe më gjatë nëse gjatë zgjedhjeve populli u shkon nga pas këtyre partive për lekë apo për një thes miell.
Diskutime rreth kësaj post