Seanca e djeshme parlamentare është shoqëruar me debate të forta sa i takon miratimit të draftit për reformën zgjedhore. Deputeti njëherësh edhe kreu i grupit demokrat, Myslim Murrizi ka shpërthyer ndaj kreut të Kuvendit, Gramoz Ruçi sa i takon draftit, duke hedhur akuza se pas këtij drafti fshihet një marrëveshje mes PS dhe PD.
Murrizi bëri thirrje dje në Parlament që të ndalohet ajo që ai e cilëson si trafikim. Murrizi u shpreh se drafti i dorëzuar nga Damian Gjiknuri është një trafikim dhe nuk do të kalojë në seancë plenare.
“Nga njoftimet tuaja mora vesh që në mënyrë të njëanshëm, pa u mbledhur komisioni i reformës zgjedhore, në mënyrë të fshehtë si në 17 maj, në 12 të natës, qenka dorëzuar në Komitet Qendror një draft i njëanshëm i pazarxhinjve i 21 prillit të 2008. Zoti Balla, nëse ju shkon në mend ty dhe Ramës, Bashës dhe Kryemadhit që u keni marrë paratë shqiptarëve, për të bërë një ligj në Kuvend me votat e pista, e keni gabim! Këtë gjellë qensh që është gatuar para 12 vitesh, do ua hedhin në sy shqiptarët.
Deputetë sharlatanë dhe kryetarë bashkish që akuzojnë të tjerët që shiten e blihen, janë pjesë e kësaj loje. Ju garantoj se s’do të merrni asnjë votë këtej. Lërini lojërat e pista. Nënshtroheni vullnetin e 39 deputetëve. Nëse janë tërhequr për afera të pista korruptive, të kenë surrat që të thonë se nuk i qëndrojnë firmës. S’do t’ju pinë ujë paratë as juve, as sivëllezërve tuaj që enden ferrave apo bunkerëve.
Ndalni votën e pistë. Shqiptarët kërkojnë zgjedhje. Sot është 2 korriku. 30 vite më parë revolta shqiptare prishi kangjellat e diktaturës. 30 vite me pas ju vazhdoni. Bijtë e atyre që sunduan Shqipërinë, kërkojnë që të marrin shqiptarët peng me votën e tyre. Ka ardhur koha që të hiqet dorë nga loja e pistës. Pisllëqet e atyre që ju akuzojë juve ditën dhe filtrojnë me ju natën, s’mund të jenë në këtë sallë”, – tha Murrizi.
Sakaq e ashpër ka qenë dhe deputetja Rudina Hajdari, njëherësh përfaqësuese e opozitës parlamentare në tryezën e reformës zgjedhore. Hajdari ka shpërthyer ndaj kryeministrit Edi Rama duke i kërkuar që të pozicionohet në qëndrimet e tij.
“Në sistemin me lista të mbyllura besojnë vetëm 10%. Partitë e vjetra nuk duan integrimin e Shqipërisë. Ne që jemi në këtë Kuvend kemi marrë përsipër që të përfaqësojmë shqiptarët që duan lista të hapura. Është një lajm i mirë që kjo gjë të ecë përpara. Ka ardhur koha që Partia Socialiste të zgjedhë anën e saj. A doni të jeni pjesë e 10% që duan lista të mbyllura, do rrini pas militantëve dhe do t’u shërbeni interesave të ngushta të atyre, apo do bëheni pjesë e shqiptarëve që duan lista të hapura? Nëpërmjet zgjedhjeve dhe listave të hapura, u tregojmë atyre që duam zhvillim në këtë vend dhe që Shqipëria t’u ngjajë vendeve europiane. Edi Rama, nëse ti zgjedh të jesh pjesë e pakicës, do të jesh i humbur, duhet të tregosh se je këtu për shumicën e shqiptarëve”, – u shpreh Hajdari.
Diskutime rreth kësaj post