Radio Televizioni Shqiptar ka qenë pjesë e diskutimeve të seancës së djeshme plenare. Kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, gjatë fjalës së tij në foltoren e Kuvendit ka vërshuar me një sërë akuzash ndaj RTSH.
Sipas tij, vetëm gjatë vitit 2019, RTSH ka marrë nga xhepat e qytetarëve plot 1, 8 milionë lekë për kontrata të pavlershme. Sakaq Balla akuzoi televizionin se përveç faktit që po merr para për shërbime që nuk arrin t’i ofrojë, po shpenzon më shumë para se sa mund të shpenzojnë televizionet gjigante në botë. Sipas tij këtë lum parash mund ta shpenzonin për investime të tjera të nevojshme që do t’u vinin në shërbim qytetarëve.
“E kërkova fjalën për këtë raport të RTSH për vitin 2019. Kushdo që është deputet i zonave rurale malore në këtë vend e di shumë mirë që sinjali i TVSH-së nuk penetron. Përfitoj nga rasti që t’i tërheq vëmendjen televizionit publik për shpenzime të pavlefshme që lidhen me blerjen e ndeshjeve të Champions League, të UEFA League-s, me vlera marramendëse. Nuk e di pse duhet të harxhojë 1.8 milionë euro TVSH për të blerë ndeshjet e Champions League, të cilat hyjnë në sektorin luxury, në sektorin e qejfit. Kam pafund sms e ankesa nga banorët. 1.8 milionë euro të shpenzuara për Champions League e Uefa League, 40 mijë euro për një ndeshje futbolli as e para, as e dyta, por e treta në renditje nuk mendoj se janë një shpenzim që i bëjnë nder TVSH. Nuk ka asnjë TV publik shtetëror, as BBC, as Rai që të marrë të harxhojë para për këtë”, – deklaroi Balla.
Ndërkohë ai foli edhe për përgjegjësinë e qeverisë që ka lejuar Këshillin e Drejtues të RTSH të miratojë këtë vendim për shpenzime mbi 1,8 milionë lekë për shërbime të paarritshme.
Kërkesa për anulim kontratash
Ndërkohë Balla i bëri thirrje të drejtpërdrejtë RTSH të ndërpresë menjëherë kontrata të llojit të lartpërmendur dhe ato para t’i përdorë për të ofruar shërbime të nevojshme. Sakaq ai përmendi këtu transmetimin e mësimit gjatë pandemisë, për të cilin tha se ja vlen të shpenzohet dhe se duhet të vazhdojë.
“Do t’i bëja thirrje TV publik shqiptar brenda mundësive, pa penalitete ta anulonte këtë kontratë sepse nuk i bën nder një televizioni publik se është shpenzim i kotë. Edhe pse dukshëm nga viti 2014-2015 e mbrapa ka një shndërrim total të qasjes së radiotelevizionit përsëri ky radiotelevizion nuk ka arritur ende të jetë në lartësinë e detyrës së një televizioni publik. Ka nevojë për mbulimin me antena, me sinjal të domosdoshëm, tashmë koncepti i antenës në botën dixhitale ka ndryshuar totalisht, por e vërteta është që kushdo që është deputet i zonave rurale malore në këtë vend e di shumë mirë që sinjali i TVSH-së nuk penetron. TV publik në kohën e pandemisë u bë një transmetues i domosdoshëm për mësimin do doja që ky të vazhdonte dhe gjatë verës sepse ka qenë një vit shkollor shumë i vështirë, njëherë prej tërmetit dhe më pas prej pandemisë”, – tha ai.
Sipas deputetit të PS, RTSH ka përfituar nga mungesa e kontrollit që duhet të ushtrojë vetë Kuvendi në deklarimin e përvitshëm që ky institucion bën. Balla tha se vetë Kuvendi duhet të përcaktojë limitet dhe afatet e kontratave të televizionit publik.
“Përpara se të duartrokasim herë pas here sa herë vijnë raporte institucionesh, unë ia kam thënë grupit tim parlamentar dhe kryesisë së grupit se roli i Kuvendit nuk është një rol që të ratifikojë raporte të cilat përsëriten vit pas viti. Kontrolli parlamentar duhet të jetë i tillë që të vendosë afate dhe të monitorojë afate. Në rastin e Këshillit Drejtues të RTSH, i cili monitoron punën e përgjithshme të televizionit unë nuk di se sa është raportuar krahasuar me një vit më parë sa është rritja e zonës së mbulimit të televizionit publik”, – theksoi ai.
Diskutime rreth kësaj post