Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi shprehet e bindur se partia që ajo drejton do të dalë forcë e parë në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit të vitit 2021.
Teksa ishte në një takim me strukturat e LSI në Durrës, zonja Kryemadhi i dërgoi një mesazh të qartë kryeministrit Edi Rama, ndërsa e paralajmëroi se në zgjedhjet e 25 prillit Partia Socialiste do të humbë në mënyrën më spektakolare të mundshme.
Në këtë kontekst, Kryemadhit theksoi se LSI do të dalë forcë e parë dhe se sipas saj, me marrjen e pushtetit prej saj dhe partive të tjera të opozitës së bashkuar do të kenë si prioritet luftën ndaj krimit të organizuar.
“Unë përfitoj nga rasti të përshëndes të gjithë suflerët e kryeministrit të degraduar, që në Durrës do ta ketë jo LSI-në forcë të parë, por do ta ketë LSI-në në Durrës avangarde për të ndryshuar politikën e krimit që ka instaluar në Shqipëri dhe do të thyejë hundët jo vetëm Edi Rama, por kushdo që do kërkojë të bëjë atë që është dashur të bëjë për të ndryshuar dhe për të deformuar qytetarët shqiptarë. Ajo që mendoj unë dhe që është shumë e rëndësishme sot më shumë se kurrë ne kemi nevojë për të biseduar më çdo qytetar, për të komunikuar me ta, për të qenë prezentë, për të dhënë vizionin tonë. Sepse vizioni i LSI-së nuk është thjesht për të rindërtuar, ashtu siç rindërtoi Edi Rama xhepat e vet apo shtëpinë e ndonjë ministri, por jemi këtu për të rindërtuar të ardhmen e fëmijëve të Durrësit dhe të fëmijëve të të gjithë shqiptarëve”, – deklaroi ajo.
Më tej kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi akuzoi mazhorancën socialiste dhe qeverinë se ka lënë në mëshirë të fatit Durrësin.
“Edhe shiu i 25 prillit do ta lajë baltën e Durrësit dhe do të rikthejë shkëlqimin që ka pasur shumë kohë më përpara, që ka qenë një nga qytetet më të bukura, më të adhuruara, edhe për ne tiranasit, pavarësisht se me origjinë unë jam dibrane, por lindur e rritur në Tiranë, kështu që e kishim një adhurim. Sepse çdo gjë fillonte nga Durrësi dhe më pas vinte në Tiranë e nga Tirana shpërndahej në të gjithë Shqipërinë. Unë ju uroj suksese të gjithëve dhe mendoj se ky është takimi ynë i parë organizativ, por takime të tjera me radhë do të vazhdojnë, ku do të shtrihemi në çdo cep, jo vetëm në Bashkinë e Durrësit të qytetit, por edhe në komuna e kështu me radhë në të gjithë Qarkun e Durrësit. Jam e bindur që gara do të jetë midis Tiranës, Fierit dhe Durrësit, kush do të jetë i pari. Kemi një garë shumë të madhe me grupin e Tiranës, po kështu një garë shumë të madhe me grupin e Fierit”, – nënvizoi Kryemadhi.
Diskutime rreth kësaj post