Votuesit në Vlorë përgjatë viteve kanë qenë gjithnjë e më të paktë ndërsa qarku shënon një nga flukset më të larta migratore dhe emigruese në vend, pavarësisht se është i bekuar me pasuri natyrore, det, mal, fusha pjellore.
Në zgjedhjet e vitit 2017, vetëm 36% e 308 mijë banorëve me të drejtë vote doli për votime. Një arsye për pjesëmarrjen e ulët lidhet me emigrimin masiv të popullsisë, veçanërisht nga zonat me afrimitet kulturor me Greqinë si Himara, Saranda e Finiqi. Por megjithëse n vitinë 2017 në Vlorë u hodhën 12 mijë vota më pak se sa më 2013, fakti është që Partia Socialiste arriti të marrë mbi 9 mijë vota më shumë. Se nga dolën këto vota, kjo është e vështirë të dallohet.
Vlora është qarku ku një numër i lartë partish janë shfaqur si faktorë të rëndësishëm përgjatë viteve. Në zgjedhjet e vitit 2013, Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut (PBDNJ) garoi në koalicionin e PS dhe mori 6 mijë vota dhe një mandat deputeti. Partia Minoriteti Etnik Grek për të Ardhmen (MEGA), garoi në koalicionin e PD dhe mori 2300 vota, kryesisht në zonë e bashkisë Finiq dhe në Sarandë. Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet, (PDIU), mori gati 6800 vota më 2013 në Vlorë dhe zgjodhi deputet Dashamir Tahirin.
Më 2017, votat e PDIU të Vlorës u përgjysmuan, votat e PBDNJ-së ishin pjesë e listave të PD-së ndërsa MEGA mori afro 2 mijë vota si parti garuese më vete. Partia Demokratike, e cila në ato zgjedhje garoi me listë të përbashkët me PBDNJ dhe PR, arriti të përmirësojë rezultatin e saj në krahasim me vitin 2013. Por ishte Partia Socialiste ajo që mori mbi 9 mijë vota më shumë, duke marrë 60% të votave dhe duke realizuar fitoren më të thellë në vend. Ajo u shpërblye me 8 mandate ndërsa PD mori 3 dhe LSI, 1 mandat.
Socialistët jo vetëm që fituan 8 mandate, por edhe mandati i tetë, i marrë me 8200 vota, u realizua me një distancë komode nga konkurrentët. Mandati i tretë i demokratëve u mor me mesataren 7735 vota. Për këtë arsye, Edhe mandati i nëntë i socialistëve nuk është i paarritshëm, po të mos marrim parasysh se në instancë finale, qeverisja konsumohet.
E njëjta gjë vlen edhe për Partinë Demokratike në opozitë, e cila në Vlorë ka vendosur këto zgjedhje veteranin e vet Bujar Leskaj, njeriun që surprizoi shumë në vitin 2005, kur arriti të fitojë zgjedhjet në zonën 94, e cila përfshinte një pjesë të vetë qytetit të Vlorës. Një fitore e tillë e PD-së në Vlorë në atë kohë dukej e pabesueshme duke marrë parasysh vuajtjet e qytetit gjatë trazirave të vitit të tmerrshëm 1997 dhe damkës që ajo tragjedi la mbi PD-në në Vlorë.
Shumë gjëra kanë ndryshuar që nga koha kur Leskaj fitoi mandatin në qendër të Vlorës më 2005. Ai ka kaluar mbi një dekadë si kryetar i KLSH-së në Tiranë, kështu që mbetet për t’u parë nëse ai mund të ripërsërisë suksesin e vitit 2005 dhe t’i japë PD-së një mandat të katërt. PD-së i nevojiten disa mijëra vota më shumë se sa katër vjet më parë ndërsa përballë tyre, për të ruajtur mandatin e tetë, është angazhuar vetë Edi Rama, i cili paraprihet në listë nga Damian Gjiknuri në vend të shtatë.
Ky i fundit, organizoi fitoren spektakolare të PS në Vlorë më 2017 si dhe fitoren famëkeqe të zgjedhjeve për kryebashkiak në Dibër më 2016, në të cilat u blenë vota dhe u shantazhuan votuesit në shkallë të gjerë. Radhitja e kandidatëve socialistë e bën pozicionin e Gjiknurit jo 100% të sigurt. Nëse PS merr shtatë mandate, Rama, i cili supozohet se do të marrë më shumë vota pëlqyese se kandidatët e tjerë të PS-së, mund të zgjedhë të zëvendësojë kandidatin më poshtë vetes, pra Gjiknurin.
Edhe në Vlorë, PS ka shënjestruar në veçanti Lëvizjen Socialiste për Integrim. Kjo e fundit ka fituar mandat në Vlorë zgjedhjet e kaluara duke marrë 12 mijë vota, 4 mijë më shumë se sa nevojiteshin për mandatin e fundit.
Diskutime rreth kësaj post