Fitorja e zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit nga Partia Socialiste duket se i ka hapur rrugë debatit, pasi janë të shumtë ata që kërkojnë dorëheqjen e kreut të Partisë Demokratike, Lulzim Basha.
Njëri prej atyre që kërkon largimin e Bashës nga partia është edhe juristi Kreshnik Spahiu. Ky i fundit ka ironizuar zhvillimet e fundit politike në vend dhe “luftën” brenda PD pas humbjes në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit. Duke u nisur nga zërat brenda Partisë Demokratike dhe kërkesat për shkarkimin e kryedemokratit Basha si kryetar partie, Spahiu përmes një postimi në rrjetin e tij social “Facebook” shkruan se demokratët nuk mund të heqin dot Bashën dhe jo më kryeministrin Rama. “Demokratët nuk heqin dot Bashën, jo më Ramën”, shkruan ai.
Ndërkohë në një status të dytë në rrjetet sociale, juristi Spahiu theksoi se Partia Demokratike i ka njohur zgjedhjet, nisur nga fakti që nuk ka ankimuar rezultatin pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. “KQZ zyrtarizoi rezultatin e zgjedhjeve. PD-LSI s’ka regjistruar asnjë ankesë. Nesër fillon lufta drejt fitores”, nënvizoi juristi dhe ish-kreu i Aleancës Kuqezi, Kreshnik Spahiu.
Nga ana tjetër, ish-presidenti i vendit, Bujar Nishani ka folur lidhur me zhvillimet e fundit brenda Partisë Demokratike. Gjatë një prononcimi për mediat, Nishani u shpreh se nuk ka ambicie për kryetar të PD-së, ndërsa këmbënguli se kryedemokrati Lulzim Basha duhet që të lërë postin. Ai shtoi se PD ka nevojë për një hapje të madhe dhe të jetë një shtëpi e madhe e lirisë dhe jo një pronë e kryetarit.
“Absolutisht që nuk kam ambicie për kryetar, sepse është një çështje dytësore. Kauza ime është të shoh PD-në të madhe. Kjo fillon me një rritje të saj dhe me ndryshimin e statusit, kryesia dhe Këshilli Kombëtar të jenë funksionalë dhe të mos quhet si një dhuratë, por të vijnë pas një gare në ndershme. Kryetari i partisë nuk mund të jetë pronari i partisë, por duhet të imponojë respekt dhe autoritet. Pra, PD ka nevojë për një hapje të madhe dhe të jetë një shtëpi e madhe e lirisë. PD nuk mund të jetë më e besueshme me formulat dhe vizionet e 2015, por që do të marrë frerët e shtetit në vitin 2025, se ka lindur si një parti e frymës së lirisë”, – nënvizoi Nishani.
Kujtojmë që pas shpalljes së fitores së Partisë Socialiste, e cila siguroi 74 mandate në zgjedhjet parlamentare, brenda Partisë Demokratike ka nisur një “luftë” me dy kampe të ndara, ku një pjesë mbështesin kryetarin Basha dhe një pjesë kërkojnë shkarkimin e tij, duke e konsideruar fajtor për humbjen.
Diskutime rreth kësaj post