Në drejtimin e kryetarit z. Alket Hyseni, Komisioni hetimor parlamentar “Për hetimin e shkeljeve të rënda kushtetuese nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë” zhvilloi mbledhjen e tij të radhës, me praninë fizike të të gjithë anëtarëve të komisionit. Fillimisht me shumicën e anëtarëve u miratua procesverbali i mbledhjes së Komisionit të datës 21 maj 2021.
Pika e dytë e rendit të ditës ishte seancë dëgjimore me Presidentin e Republikës, e cila nuk u realizua për shkak të mosparaqitjes së Presidentit në mbledhjen e sotme.
Ndërkohë Sekretarja e komisionit, Klotilda Bushka gjatë diskutimit të saj u shpreh se komisioni hetimor ka garantuar në mënyrë objektive dhe të drejtë thirrjen e Presidentit të Republikës për t’u dëgjuar në këtë proces, por mungon vullneti i tij për të marrë pjesë në këtë komision hetimor.
“Në shkresë del qartë që kemi vullnetin e qartë të Presidentit për të mos marrë pjesë dhe për të mos iu bindur asaj që është detyrim për komisionin hetimor; të thirret dhe të dëgjohet. Sigurisht, Kodi i Procedurës Penale i parashikon mjetet për ta bërë të mundur prezencën me forcë, por për sa kohë mungon vullneti unë mendoj që, nuk është e nevojshme të vijojmë me hapat e tjera, sepse po sipas Kodit të Procedurës Penale, por edhe sipas rregullave të shqyrtimit të çështjeve në komisionet e hetimore , çdo lloj qëndrimi i personit që ka detyrime në një procedurë hetimi nga komisioni hetimor, do të mbahet në konsideratë në vlerësimin e çështjeve dhe fakteve të hetimit, si dhe në vlerësimin përfundimtar që do ti bëhet çështjes”, deklaroi ajo. Po ashtu, zonja Bushka theksoi se ajo nuk ka kërkuara që Meta të vinte forcërisht në Komision Hetimor edhe pse e parashikon ligj, ndërsa kërkoi të vijohet me mbylljen e hetimit. “Ne si komision hetimor mund ta thërresim me forcë sipas ligjit presidentit Ilir Meta për të qenë i pranishëm në dëgjesë, po duke qenë se ne e bëmë procedurën e plotë për ta thirrur dhe ai s’ka vullnet për të ardhur ne duhet të vijojmë me mbylljen e hetimit”, nënvizoi Bushka.
Diskutime rreth kësaj post