Ish-kryeparlamentarja Jozefina Topalli ka shtuar dosën e sulmeve ndaj liderit demokrat Basha dhe të gjithë klasës politike në vend. Sipas saj, PD sot nuk ekziston më si parti, por vetëm si sigël. Ndërkohë ka shtuar se Rama sot është në pushtet vetëm falë Bashës.
“Është presoni dhe garancia, që Edi Rama ka qenë tetë vite në pushtet, me të cilët ndan shumë gjëra përtej politikës, dhe që është elementi dhe arma, me të cilën Edi Rama do të përpiqet të marrë mandatin e tretë. Sondazhet e bëra në Shqipëri flasin për një realitet krejt të ri, për atë që ëndërrojnë tre kryetarët. Është unike në botë. Që të flitet se shqiptarët janë të pakënaqur 70% ndaj opozitës se sa ndaj qeverisë. Unë e jam e bindur se ato nuk e duan këtë qeveri, është e korruptuar, mbytur në skandale, e paaftë për të qeverisur, e dështuar në çdo fushë të vendit, por ata kanë kuptuar: po të kishte pasur opozitë, Edi Rama nuk do ishte sot, ndaj dhe 70% e shqiptarëve janë të pakënaqur nga opozita”, tha ajo.
Sipas ish-nënkryetares së selisë blu, demokratët janë të zhgënjyer nga opozita gjatë këtyre 8 viteve dhe Partia Demokratike e ka humbur besimin e shqiptarëve. “Janë shumë të dëshpëruar. Ato janë zemra e Partisë Demokratike dhe ato janë të tradhtuar dhe u bënë shumë vite, sigurisht që ato do të reagojnë, do të jenë të parët që do të reagojnë. Ata do shkojnë atje ku ato ndihen të përfaqësuar, me të cilët kanë bërë betejat dhe tek ato që nuk ndihen të tradhtuar. Mjaft 8 vjet mashtrim”, tha ajo.
Topalli shprehet se Lëvizja për Ndryshim, do të ketë kandidatë në të gjithë territorin dhe për këtë do të kërkojë bashkëpunimin edhe të partive të tjera, që janë kundër asaj që Topalli e quan trinomi i kryetarëve. “Një parti, e cila do jetë në të gjithë territorin e Shqipërisë. Me lisat e saj, por sigurisht në muajt e ardhshëm besoj se edhe me lista të përbashkëta me parti të tjera të reja, që janë kundër tre kryetarëve të korruptuar. Ne po punojmë për listën e emrave. Unë kam një parim “ne nuk kemi luksin për të përjashtuar asnjeri”. Unë jam e hapur për të negociuar me këdo, por me një kusht: që në qëllimin e tyre dhe në punën e tyre të ketë një synim “largimin e Edi Ramës, Ilir Metës dhe Lulzim Bashës”, shtoi znj. Topalli për “Euro News”. Ajo ende nuk e ka vendosur se ku do të kandidojë, ndërsa kandidimi në më shumë se një qark, është një mundësi. “Unë edhe e mendoj, por nuk kam marrë ndonjë vendim, por edhe mendoj që mund të jem e pranishme në 1, 2 apo 3 qarqe”, u shpreh ajo.
Diskutime rreth kësaj post