Opozita ka hedhur dje në Parlament akuza mbi qindra kompani Call Centerash që operojnë në Shqipëri. Ishte deputeti i opozitës parlamentare Myslim Murrizi, i cili deklaroi se këto kompani pastrojnë para në Shqipëri dhe keqtrajtojnë punonjësit.
Murrizi u shpreh se Policia e Shtetit dhe Krimi Ekonomik duhet të vihet në lëvizje lidhur me këtë rast. “Pashë në një gazetë shqiptare, që një haker shqiptar që s’ia japin emrin, mbase është këshilltar i ministres suaj ka vjedhur 504 mijë euro me lojën e famshme të Call Center-ve. A ka Polici Shteti? Krim Ekonomik, Hetim Tatimor apo SHISH të më thotë se çfarë aktiviteti zhvillojnë këto 655 Call Center-a në Shqipëri?! Çfarë fitimi realizojnë përveç pagave minimale si fasonët? Gjitha mediat austriake, gjermane, daneze, shkruanin që kompani me qendër në Tbilis, Izrael dhe Ukrainë ushtrojnë aktivitet në Shqipëri duke xhiruar nga ky biznes 15-20 milionë euro në muaj”, tha Murrizi.
Ndër të tjera ai u shpreh se zotëron edhe pamje filmike, të cilat do t’i bëjë edhe publike, ndërsa shtoi se fëmijët e drejtuesve të institucioneve Kushtetuese ruhen në mënyrë të paligjshme sipas tij nga oficerë të RENEA-s.
“Do të sjell javës tjetër edhe filmime që sa punonjës kanë brenda këto kompani fantazmë që nxijnë faqen e Shqipërisë në vendet e BE-së. Fëmijët e drejtuesve të institucioneve kushtetuese ruhen sot në mënyrë të paligjshme nga oficerë të RENEA-s, apo oficerë të Gardës së Republikës, sepse milionat që u mashtrojnë qytetarëve të BE nëpërmjet punës së pistë që realizojnë në mes të Bllokut në Tiranë duan edhe mbrojtje speciale”, tha deputeti.
Abuzime të tjera
Deputeti Murrizi renditi edhe disa abuzime të tjera që sipas tij bëhen haptazi dhe kërkoi që prokuroria të vihet në lëvizje pasi ato që po vidhen janë paratë e shqiptarëve. Ai ngriti akuza për kreun e Fondit Shqiptar të Zhvillimit, i cili sipas tij ka tenderuar 200 milionë euro.
“Kur tenderohet 20 milionë euro 1 kilometër autostradë apo rrugë në mes të Tiranës, 4.5 milionë euro në rrugën Korçë-Ersekë, 2.8 në një vend tjetër ku prokurohet 1200 euro metri katror rikonstruksioni i shkollave Divjakë, Çermë, Këmishtaj, kur prokuron Agolli mbi 200 milionë euro si i teket në rilindjen urbane të 100 fshatrave që i teket kësaj mazhorance, sepse nuk janë paratë e mazhorancës por paratë e taksapaguesve shqiptarë”, deklaroi Murrizi.
Sakaq Murrizi u shpreh se sipas tij, ligji për prokurimet publike kërkon që ata që prokurojnë mos të jenë të pangopur. Ai vijoi më tej duke thënë se duhet të ketë një ligj konciz për prokurimet publike.
“Ligji për prokurimet publike që shitet sikur do bëjë namin është një ligj që nuk kërkon shumë rreshta, por kërkon që ata që prokurojnë dhe urdhëruesit e tyre që marrin pjesë në komisionet e prokurimeve të mos jenë të pangopur, të mos jenë të babëzitur, të mos jenë të pafytyrë, të mos jenë kaq njerëz me një grykësi të pashoq. Unë do doja që të kishte një ligj konciz për prokurimet publike, një ligj siç e ka bota. Ligji kërkon që mos të ketë më me demek prokurime sekrete. Nga 2014 deri në 2019 kjo mazhorancë ka realizuar 243 kontrata të këtij lloji, sekreti të famshëm. Raporti i KLSH-së thotë që vetëm në Ministrinë e Mbrojtjes janë realizuar 75% të tenderave në mënyrë konfidenciale. Raporti i KLSH-së thotë që rreth 40% e prokurimeve publike në këtë vend në 7 vite të qeverisjes tuaj janë me një pjesëmarrës të vetëm në garë, çka do të thotë që nuk është prokurim publik”, tha deputeti Murrizi.
Diskutime rreth kësaj post