Kryetarja e Lëvizjes për Ndryshim, Jozefina Topalli ka kërkuar bashkimin e shqiptarëve kundër Edi Ramës, Lulzim Bashës e Ilir Metës. Me anë të një statusi në rrjetin e saj social Facebook, Topalli u shpreh se vendi tani në këto momente ka nevojë për kurajo dhe në 25 prill qytetarët do të kenë mundësi të vendosin për këtë. Topalli tha se largimi i kryeministrit Edi Rama është vetëm hapi i parë për ndryshim por sipas saj nuk është i mjaftueshëm.
“Sot ka nevojë për kurajo, përtej krizës që vendi jeton! Shqipëria me borxhin më të lartë në rajon në T III, e dhjeta në Europë. Me 25 prill qytetarët kanë mundësi të marrin një vendim të fortë, që do ketë impakt të paktën për një dekade. Borxhi do destabilizojë vendin nëse nuk ndodh një ndryshim i fortë. Largimi i Edi Ramës është vetëm një hap, por i pamjaftueshëm për të ndryshuar vendin”, tha Topalli.
Sipas saj duhet bërë një riciklim i të gjithë të korruptuarve që po pasurohen ndërkohë që popullsia varfërohet. Topalli foli për raportin e Eurostat ku u shpreh se për nivelin e lartë të borxhit publik, Shqipëria u rendit në vend të dhjetë në Europë. Ndërsa në të gjithë rajonin ajo mban rekord duke ia kaluar dhe Malit të Zi.
“Ndryshimi është riciklimi i te korruptuarve apo i atyre që pasurohen në mënyrë të frikshme kur gati gjysma e popullsisë jeton me më pak se 5 dollarë në ditë. Në fund të tremujorit të tretë të 2020-s, Shqipëria u rendit e dhjeta në Europë për nivelin më të lartë të borxhit publik, në raport me madhësinë e ekonomisë, sipas të dhënave të Eurostat, Komisionit Europian dhe Ministrisë së Financave. Në rajon, Shqipëria mban rekord, duke ia kaluar dhe Malit të Zi, që sipas të dhënave zyrtare nga Ministria përkatëse e Financave e kishte këtë tregues në 79.5% të PBB-së. Kosova ka nivelin më të ulët të borxhit, me 16.5% të PBB-së, e ndjekur nga Bosnjë Hercegovina, me 35.6%, Maqedonia e Veriut (42.7), Serbia (62.2%)”, tha Topalli.
Topalli thirrje shqiptarëve për ndryshim.
Ish-kryeparlamentarja u shpreh se kërkohet një vendosmëri e fortë për të zëvendësuar elitën e korruptuar, me njerëz të cilët janë të ndershëm. Topalli përmendi 3 kryetarë të korruptuar duke folur për Bashën, Ramën dhe Metën. Ish-kryeparlamentarja u bëri thirrje gjithë shqiptarëve të bashkohen në 25 prill për shpresë dhe për ndryshim.
“Kjo situatë është minë me sahat për stabilitetin ekonomik e financiar të vendit. Vendi ka nevojë për zëvendësimin e elitave të korruptuara me njerëz normalë e të ndershëm!Vendi ka nevojë për shpresë për ndryshim! Një vendim i fortë kundra 3 kryetarëve të korruptuar kërkon një vendosmëri të madhe. Nëse qëndron në shtëpi, do u bësh nderin më të madh atyre që çuan vendin në pikën e zgripit. Sot ka nevojë për kurajo përtej krizës që vendi jeton. Sot ka nevojë për të ndërmarrë një sfidë të vështirë. Sot ka nevojë për të bërë çfarë është mirë, për t’u bashkuar, për të besuar në vete, për të besuar në çfarë ne mund të bëjmë së bashku”, u shpreh ish-kryeparlamentarja.
Kujtojmë se Topalli është shprehur dhe disa herë të tjera kundër kryedemokratit Lulzim Basha. Megjithatë pavarësisht kritikave për Partinë Demokratike të sotme, ajo vazhdon të jetë në anë të djathtë. Topalli mbetet e vendosur që votat t’i bashkojë vetëm me të djathtën. I vetmi kusht sipas saj është vendosja e një kryeministri të pakorruptuar në krye të pushtetit ekzekutiv.
Topalli ka komentuar edhe raportin i krijuar mes kreut të PD, Lulzim Bashës me partitë aleate të cilin e ka quajtur interes për mbajtjen e karrigeve. Për këtë arsye, ish-kryeparlamentarja nuk i ka thënë jo bashkëpunimit me Astrit Patozin apo Fatmir Mediun, i cili duket më i pakënaquri nga Basha.
Diskutime rreth kësaj post