Pavarësisht thuajse 40 viteve mbi supe, Zlatan Ibrahimoviç nuk ka ndërmend të tërhiqet dhe forma e mirë që po kalon te Milani, ka bërë që kuqezinjtë t’i ofrojnë rinovimin edhe për një tjetër sezon.
Burime pranë klubit kuqezi konfirmojnë se palët kanë nisur negociatat prej javësh dhe janë shumë pranë marrëveshjes për të zgjatur kontratën deri në verën e 2022-shit, kur Ibra të ketë 41 vite mbi supe. Paga bazë e veteranit suedez pritet të mbetet e njëjtë, ndërsa palët po negociojnë në lidhje me bonuset dhe premiot në lidhje me paraqitjet personale të Ibrës si dhe objektivat e arritura nga klubi i Milanit.
I rikthyer te Milani në dhjetor të 2019-ës, Ibra tregoi shumë shpejt se ka ende për të dhënë në futbollin e niveleve të larta, teksa edhe këtë sezon ka shënuar 15 gola me fanellën kuqezi, duke udhëhequr skuadrën drejt një vendi në zonën Champions. Pikërisht dëshira për të luajtur sërish në kompeticionin më spektakolar për klube në botë, ka bërë që Ibra të marrë në konsideratë rinovimin e kontratës me kuqezinjtë, ndërsa zyrtarizimi i marrëveshjes së re pritet të vijë që gjatë këtij muaji.
Vlen të theksohet se drejtuesit e Milanit po vijojnë negociatat me Mino Raiolën edhe për rinovimin me portierin Donaruma, kontrata e të cilit përfundon në muajin qershor të këtij viti, por në këtë rast palët janë ende larg njëra-tjetrës. Mediat italiane raportojnë se, pas një jave bisedimesh përfaqësuesi i Suedisë, ka rënë në ujdi me kuqezinjtë për kontratë 6.5 mln euro deri në qershor të vitit 2022. Paga e tij do të rritet në 7 milionë euro nëse ai i përmbush bonuset, sipas “SportMediaset”. Sipas mediumit italian, 39-vjeçari pritet ta nënshkruajë marrëveshjen nesër, edhe pse “Sky Sport Italia” raporton se do të ndodhë në 10 ditët e ardhshme.
Ai do t’i fitojë gjysmë milioni euro bonus nëse Milani kualifikohet në Ligën e Kampionëve sezonin e ardhshëm. 39-vjeçari i ka shënuar 15 gola në 16 ndeshje në Serie A deri tani këtë sezon. Ai u kthye në Kombëtaren e Suedisë për ndeshjet kualifikuese të Kupës së Botës 2020 muajin e kaluar dhe u paraqit kundër Kosovës në Prishtinë. Ndërkohë që Ibra po rinovon kontratën dhe po përgatitet të qëndrojë në Milano, një lojtar tjetër kuqezi po bën gati “valixhet” dhe është fjala për mesfushorin Calhanoglu.
Kështu referuar medieve sportive italiane, mesfushori turk Hakan Calhanoglu do të largohet nga Milani këtë verë. Mediumet italiane kanë shkruar të hënën se Calhanoglu edhe zyrtarisht ka refuzuar rinovimin e kontratës që i skadon vitin tjetër. Madje, thuhet se Calhanoglu tashmë ka nisur bisedimet me Juventusin, ekip të cilit mund t’i bashkohet si lojtar i lirë në fund të këtij edicioni.
Calhanoglu po kërkon pagë prej pesë milionë eurosh në vit dhe te Juventusi janë të gatshëm t’ia plotësojnë këtë kërkesë. Mesfushori 27-vjeçar është pjesë e Milanit prej vitit 2017 kurse këtë sezon ka shënuar shtatë gola dhe ka asistuar 11 herë në 34 paraqitje në të gjitha garat. Krahas Juventusit, interesim për Calhanoglun kanë shprehur edhe Arsenali e Çelsi.
Diskutime rreth kësaj post