Një lajm tragjik erdhi paraditen e djeshme nga Spitali i Traumës, ku u regjistrua viktima e 51-të nga tërmeti i 26 nëntorit. Në reanimacion, humbi jetën 20-vjeçarja Xhesika Biqiku, e cila prej tri ditësh ishte në gjendje kome, për shkak se kishte dëmtime të rënda në kokë nga rënia e tullave.
Ajo jetonte në një pallat në zonën e Kombinatit në Tiranë, ku gjatë lëkundjeve, së bashku me familjen e saj ishin munduar të largoheshin nga apartamenti në katin e parë, por fati deshi që Xhesika të mos ia dilte dot. Xhesika sapo kishte nisur studimet për Arkeologji në Universitetin e Tiranës.
Në një thirrje përlotëse që babai i Xhesikës, Ilia Biqiku, bëri tri ditë më parë për “Report TV”, për trajtimin mjekësor të së bijës në Itali, ai tregoi se vajza u dëmtua kur po dilnin nga pallati.
Tullat nisën të bien nga kati i pestë, ku të gjithë morën dëmtime, por Xhesikës i ra një tullë në kokë, duke i shkaktuar dëmtime të mëdha në tru. Bashkë me zërin e dridhur dhe lutjet përlotëse për jetën e së bijës, babai rrëqethi kur tha se më mirë të kishte vdekur ai sesa vajza e vogël, teksa lëngonte ende në shtratin e spitalit.
“Nëse nuk do të isha penguar teksa dilnim, Xhesika do të kishte shpëtuar”, tha babai i 20-vjeçares.
Xhesika 20-vjeçare është viktima e parë që shënohet nga dëmet prej tërmetit në qytetin e Tiranës.
Diskutime rreth kësaj post