Analisti Frrok Çupi ka komentuar lëvizjet e fundit të Presidentit Meta në lidhje me Kodin Zgjedhor, të cilin pasi ia ktheu Kuvendit, ia nisi çështjen Komisionit të Venecias.
Në një intervistë të dhënë për ‘Fjala’ Çupi u shpreh e gjithë kjo është një lëvizje taktike e Metës me shpresën se mbase gjen ndonjë fije mbështetje në Komisionin e Venecias, pasi në të vërtetë ka hallin e partisë së tij, LSI-së që po shkrihet.
– Presidenti Ilir Meta dërgoi për opinion në Komisionin e Venecies ligjin për Kodin Zgjedhor. Si e komentoni, si një të drejtë, apo si një pengesë për zgjedhjet?
-Komisioni i Venecies, i thënë në mënyrën më të shkurtër me këtë emër, është njësoj si ‘dyqani’ i hapur që pret çdo indicie për këshillim nga të gjitha shtetet anëtare e ndoshta edhe më gjerë. Në fund të fundit, Komisioni depoziton kërkesa dhe një ditë u jep mendim. Por ky komision jep vetëm opinione. Komisioni është ngritur në vitet ’90, kur ndodhën përmbysjet e mëdha në Evropën Juglindore e ish-komuniste; ai quhet Komisioni Evropian për Demokraci përmes Ligjit. Prej 30 vjetësh Komisioni ka bërë të njëjtën punë ‘monotone’, hajde dikush e kërkon si ‘bëhet demokracia përmes ligjit’. Në fakt, tashmë as politikanët, as juristët, as intelektualët në vendet ish-komuniste, nuk janë më aq budallenj sa të mos kuptojnë si funksionon ligji dhe demokracia; madje në shumë raste e dinë më mirë se ata të Venecies, ndoshta.
Por ky atavizëm ka mbetur aty në vend dhe njerëzit e përdorin si të jenë ‘naivë’: trokasin për këshilla e largohen sikur nuk kishin kuptuar më parë. Në rastin tonë, presidenti Meta sillet si naiv, bën sikur nuk di çfarë gatuan me skemat e tij çdo ditë e çdo orë. Vjen një moment që i drejtohet Komisionit të Venecias duke e pyetur ‘a ka të drejtë qeveria dhe Parlamenti që të bëjnë kod zgjedhor?’. Ky është naiviteti djallëzor. Sepse askush në këtë botë nuk mund t’i thotë Parlamentit ‘mos e voto kodin’. Por presidenti hedh një gur, mbase ‘inshallah’ gjen ndonjë fije në Venecie, e shtyn dhe e përdreq kodin zgjedhor aq sa mundet. Presidenti Meta ka hallin e partisë së tij, LSI-së, që sipas këtij kodi, me sa duket, mund të tkurret edhe më. Këtë shqetësim dërgon ai në fakt, në Venecie.
Diskutime rreth kësaj post