Motra e 4 vëllezërve Haklaj, Zylfije Haklaj ka rrëfyer në pjesën e dytë të intervistës ekskluzive për gazetën Shqiptarja.com, versionin e saj të vrasjes së Azem Hajdarit.
Zylfija, një nga dëshmitaret më të rëndësishme të ngjarjeve të viteve 90 në Tropojë, i jep përgjigje pyetjeve se “Kush e vrau Azem Hajdarin? Cili ishte roli i vëllezërve Ismet dhe Izet Haxhia në këtë vrasje?
“Më datën 12 shtator 1998, Fatmiri kishte shkuar në Tiranë siç ishte e lirë për të gjithë për të udhëtuar për Tiranë, por për çudi shumë diskutohet pse Fatmiri, ka shkuar në Tiranë.
A mund të shtrohet pytja përse ata kanë shkuar në Tiranë, ku Tirana është e të gjithëve dhe oborri i PD, u përket edhe njerëzve që guxojnë të mendojnë ndryshe. Fatmiri nuk i ka shkuar Azemit tek banesa e tij dhe as në zyrën e tij, përse duhej të dilte deputeti së bashku me badigardët e tij në oborrin e PD, për të verifikuar kalimtarët ose njerëzit që ishin shfaqur në oborrin e PD.
Pse nuk lind pytja përse Azemi i provokoi kalimtarët ose njerëzit e shfaqur në oborrin e PD duke shkuar drejt njerëzve me pistoletë në dorë dhe i shoqëruar edhe me dy bodigardë, të cilët ishin edhe të armatosur me armë automatike.
Kur një njeri vjen drejt teje me pistoletë në dorë dhe i shoqëruar edhe me njerëz të tjerë të armatosur, nuk e di se si mund të veprojë njeriu në rrethana të tilla, veçse të vetëmbrohet, sepse vetëmbrojtja vjen shpesh herë edhe instinktivisht si diçka e lindur.
Në qoftëse Azemi ose Saliu kishin dorë në vrasjen e Shkëlqimit dhe tani ndiheshin të pa sigurtë me qëndrimin e Fatmirit në oborrin e PD pse nuk u lajmërua policia për të marr masa shtetërore, por del vetë deputeti i cili shqetëson kalimtarët dhe njëkohësisht i provokon ata.
Fatmiri në pozicionin mes jetës dhe vdekjes ka qëlluar dhe nuk i ka dhënë kohë askujt tjetër për të vepruar. Fatmiri, na ka treguar se Jahoja dhe Naim Cangu kanë ndërhyrë duke u përpjekur të ndalojnë Fatmirin, por në këtë përpjekje Naimi ka mbetur i vrarë dhe Jahoja ka thyer gishtin në kacafytje me Fatmirin. Jahoja mund të tregojë edhe më mirë duke treguar edhe gishtin i cili deri vonë ka qënë i shtrembër.
Fatmiri ju ka thënë Naimit dhe Jahos se kur një njeri të sulmon duhet ti kundërpërgjgjesh. Ne e dimë se vëllezërit Haxhiaj janë dënuar për këtë krim, por për ne është e çuditshme, se si mund të dënohen Ismet dhe Izet Haxhia për vrasje ose për bashkëpunim, kur ata nuk kan patur asnjë llojë lidhje me ngjarjen në fjalë. Fatmiri ka treguar se si ka ndodhur ngjarja dhe ka treguar edhe për rezistencën e Jahos dhe të Naimit, për të shmangur një gjakderdhje të mundshme.
Saliu me padurim në pritje të kësaj dite, nuk heziton të fillojë djegien dhe shkatërrimin e Tiranës, ku synimet e tij, ishin dhe do të jenë vetëm pushtet dhe para mbi çdo çmim.
Ky është Sali Berisha me bamat e tij dhe paftyrësinë e tij, i cili futet edhe në punët e brendshme familjare ku çfarë nuk i nxjerr goja e çfarë nuk i pjell truri.
Më 4 gusht 1999 vritet Halil Haklaj dhe Feriz Kërrnaja me mina të telekomanduara, ku për herë të parë ishin përdorur kundër Fatmirit më 6 maj të vitit 1999, ku vritet Eduart Haklaj dhe unë mendojë se ato mina kishin ardhur nga Serbia, sepse tashmë, dihej botërisht se nafta shqiptare furnizonte makinerinë serbe në kohën e luftës së Kosovës”, tha Zylfije Haklaj.
Shota e Haklajve tregon në Shqiptarja.com edhe rolin e Berishës në vrasjen e vëllait të saj:
“Fatmir Haklaj, shkruan një artikull tek gazeta “Koha Jone” nga fundi i tetorit 1999, ku çdo gjë ja dedikon Berishës dhe klikës së tij.
Berisha i përgjigjet, shkrimit duke thënë se: “Krimi nxjerr dhëmbët, dhe se edhe i plagosur arrin të na kërcënojë, të marrim masa sa nuk është vonë”. Vetëm pak ditë më vonë, më datën 4 nëntor 1999 vritet Fatmir Haklaj dhe bashkë me të edhe Sami Kërrnaja dhe plagoset Jaho Mulosmani. Masakrat e tij ndaj familjes tonë nuk kanë fund, ku në nëntorin e vitit 2000 PD organizonte protesta të armatosura në drejtim të Komisariatit të Tropojës, ku synohet thyerja e komisariatit dhe lirimi i të burgosurve të të gjitha kategorive.
Gjatë këtij sulmi mbeti i vrarë një protestues, por Saliu nuk nguron si gjithmonë të akuzojë Haklajt. Dhe kështu me datën 3 dhjetor pak ditë pas kësaj ngjarjeje vritet vëllai ynë Ylli Haklaj në oborrin e shtëpisë së tij.
Unë mendoj se Saliu ka bërë dhe bënë kështu jo vetëm ndaj nesh, por ndaj të gjithë kundërshtarëve të tij politik dhe privat. Vrasja e Remzi Hoxhës është një vrasje e pastër politike dhe antikombëtare i cili kishte regjistruar takimin e Salihut me Sllobodanin, por edhe firmat piramidale ishin pjellë e mendjes së tij per të boshatisur edhe xhepat e shqyer të shqiptarëve.
Unë nuk mund ta harroj dot as Gërdecin, ku vdesin dhe plagosen shumë njerëz të pafajshëm, e unë nuk mund të harroj as 21 janarin e vitit 2011″, nënvizon Zylfije Haklaj. (TemA)
Diskutime rreth kësaj post