Deputetja Rudina Hajdari ka publikuar historinë e Shkëlqimit, i cili është një biznesmen i rregullt me taksa dhe është përballur me persona që nuk e lejojnë që të zhvillojë i qetë aktivitetin e tij duke i bërë presion me gjoba për të kërkuar ryshfet. Hajdari thotë se ai u detyrua ta mbyllte biznesin për shkak të presioneve të shumta. Ajo thotë se duhet të punohet që administrata të mos jetë fole militantësh që ushqehen me gjoba si banda por të jetë ushtria e mirë në ndihmë të njerëzve të ndershëm.
“Dua të ndaj sot një histori të hasur në një nga takimet e shumta që po zhvilloj këto ditë me qytetarët. Shkëlqimi është një nga shqiptarët që 10 vite më parë vendosi ta lerë emigracionin dhe të rikthehet në atdhe. Hapi një biznes me kursimet e tij dhe filloi të bënte tregti me ndershmëri ashtu siç e ka tradita e shqiptarit të mirë. Teksa arriti ta konsolidojë, edhe pse i rregullt me pagesën e taksave, filluan ti shfaqen në derë njerëz me uniformë e blloqe gjobash në duar, të cilat i përdornin si presion duke kërkuar ryshfet.
Presion mbas presioni, e gjobë mbas gjobë, Shkëlqimi u detyrua ta mbyllë biznesin. Kjo nuk është vetëm historia e Shkëlqimit, por është historia e çdo shqiptari të thjeshtë e të ndershëm. Për 30 vite shteti në vend të shërbente si mik i biznesit dhe inkurajues i ndershmërisë, u kthye në simbol të fatkeqësisë e falimentimit. Ne duhet të bashkohemi që shtetin t’ia kthejmë njerëzve si Shkëlqimi. T’ia kthejmë qytetarit të thjeshtë. Të mos jetë më kurrë administrata fole militantësh që ushqehen me gjoba si banda por të jetë ushtria e mirë në ndihmë të njerëzve të ndershëm. Do ta bëjmë këtë! Jam e bindur!”, shkruan Rudina.
Diskutime rreth kësaj post