Ish-kryeministri Sali Berisha ka hedhur sërish akuza ndaj ish-kreut të SHIK, Fatos Klosi, ku tha se ishte ai personi që nxori në pritë Azem Hajdarin në 14 shtator 1998, kur u ekzekutua pranë selisë së vjetër të PD-së. Lidhur me këtë deklaratë ka ardhur reagimi i Klosit, ku tha se Sali Berisha sa herë flet për atë çështje jep versione të ndryshme dhe i ngatërron gjërat. “Kam përshtypjen dhe frikë se ai po rrjedh” tha Klosi për Berishën në Abcneës. Në vijim, ish-kreu i SHIK rrëfeu të vërtetën sipas tij për ngjarjen.
Pjesë nga intervista:
Zoti Klosi, ju keni folur shumë për këtë ngjarje, çfarë komenti keni për prononcimin e Sali Berishës mbrëmë?
Eshtë në vazhdën e mënyrave si e ka trajtuar ai. Ka thënë 500 versione deri tani.
Po mbrëmë çfarë ndryshoi?
Ai ndryshoi mbrëmë që tha që zbritën në aeroport, kur zbriti Nano e takuan, që unë kisha vajtur në Maqedoni për të siguruar arratisjen e kryeministrit në Maqedoni, që ndodhi pas dy ditësh, gjëra që janë absurde, nuk kanë asnjë kuptim. Unë nuk e dija që kryeministri do të ikte. Nuk e di përse i bën këto gjëra. Thotë versione të reja. Kam përshtypjen dhe frikë se ai po rrjedh. I ngatërron gjërat, nuk mban mend cfarë ka thënë. Kurrë se ka thënë ndonjëherë që unë kam qenë në Bullgari apo Maqedoni atë natë, vetëm ka thënë se isha në Himarë, që nuk ishte e vërtetë, unë isha me të vërtetë jashtë vendit.
Kjo m’u duk e çuditshme që unë paskam shkuar në Maqedoni për të rregulluar largimin e Fatosit nga Tirana në datë 14, as e kemi imagjinuar që do të ndodhte kjo gjë. Atë ditë që ka ikur Fatosi në Maqedoni, as Presidenti, as ministri i Brendshëm dhe as unë nuk dinim gjë. E kemi marrë vesh vetëm të nesërmen kur hyri nga Maqedonia në Shqipëri. Nuk e di pse duhet të sajojë një njeri kaq i rëndësishëm sa ai, çudira, për të qenë sa herë që del në televizor interesant. Sa herë që del shpik ndonjë gjë të re.
Çfarë komenti keni për akuzën e Berishës që ju e paralajmëruat Azemin, por nuk e mbrojtët?
Jo! Jo! Shërbimi Informativ nuk merrte masa. Ishte Informativ, nuk kishte mundësi të merrte masa. Ne e kemi paralajmëruar Azemin përmes ministrisë së Brendshme, i çuam relacion dhe ministria e Brendshme, ministri ma ka pohuar vetë, se e kishte lajmëruar se e kishte shok Azemin. Azemi e ishte falënderuar dhe i kishte thënë “Unë i kam marrë masat, por do të jem i kujdesshëm”. Gati një javë apo 10 ditë para në një nga televizionet ai e ka thënë këtë gjë dhe e ka falënderuar shërbimin. Për këtë janë edhe shkresat.
Diskutime rreth kësaj post