Ambasadori i Bashkimit Evropian në Tiranë, Luigi Soreca ka folur për krijimin e SPAK-ut.
Sipas tij SPAK-u në vetvete dhe i vetëm, do të sillte të gjitha rezultatet e duhura që do të duheshin në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Soreca shprehet se , Prokuroria dhe çdo prokuror madje, të gjithë duhet të punojnë për ta arritur këtë gjë.
“Natyrisht që krijimi i SPAK-ut do të jetë një hap shumë i rëndësishëm përpara. SPAK-u është kthyer në pikë reference për arsye sepse do të ketë prokurorë që do të kenë kaluar procesin e Vetting-ut, rivlerësimet, kështu që është një proces që deri diku është edhe i dhimbshëm në reformën në drejtësi.
Do të kishim iluzione në rast se do të mendonim që SPAK-u në vetvete dhe i vetëm, do të sillte të gjitha rezultatet e duhura që do të duheshin në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, por do të duhen rezultate nga i gjithë Gjyqësori për të ndryshuar mendësinë dhe për të filluar goditjen e krimit të organizuar në rajone, në vende të caktuara, në nivel kombëtar dhe në bashkëpunimet ndërkombëtare, si edhe për luftën kundër korrupsionit. Dhe unë e kam thënë këtë gjë edhe në të shkuarën.
Arsyeja se përse krimi i organizuar ekziston është që të arrijë të ketë fitime dhe në rast se nuk goditen fitimet që ka krijuar, pra asetet që ka krijuar krimi i organizuar, me anën e disa instrumenteve ligjore por edhe masave parandaluese, të cilat mund të përfshijnë edhe masa të reja, mendoj se pa këto nuk do të ketë zhvillime afatgjata, të qëndrueshme dhe ecuri apo progres në luftën kundër këtyre dy fenomeneve.
Pra po, SPAK-u është i rëndësishëm. Pra po, SPAK-u do të japë motivimin e duhur në të gjitha nivelet e Gjyqësorit. Dhe masat e reja janë të rëndësishme. Edhe këto masa, edhe Ministria e Brendshme duhet të vazhdojë në një historik të qartë të këtyre arritjeve, Policia e Shtetit, Prokuroria, çdo prokuror madje, të gjithë duhet të punojnë për ta arritur këtë gjë,” tha ai për Report Tv.
Diskutime rreth kësaj post