### Mbi 102 tonë mish të bllokuar në Mal të Zi, dërgesat ishin të destinuara për një kompani në Kosovë
Autoritetet doganore të Malit të Zi kanë ndaluar në dy raste të ndara dërgesa me mish të ngrirë, të destinuara për një kompani në Kosovë. Sipas të dhënave të publikuara nga autoritetet malazeze, pesha totale e ngarkesave të ndaluara arrin në **102 mijë e 491 kilogramë**, ose rreth 103 tonë.
Rasti i fundit është regjistruar më **24 shtator 2026**, në Portin e Tivarit, ku gjatë kontrollit të një kontejneri me mish viçi të ngrirë është konstatuar se produkti kishte kaluar afatin e përdorimit më 14 maj 2026.
Sipas Doganës së Malit të Zi, kontejneri përmbante **1,321 paketime**, me peshë bruto prej **24,650 kilogramësh**. Për rastin janë njoftuar inspektori veterinar dhe Policia e Malit të Zi për procedurat e mëtejshme.
Ky rast vjen rreth dhjetë ditë pas një tjetër ndalimi, më **15 shtator**, kur autoritetet malazeze bllokuan tre kontejnerë me mish të ngrirë viçi me origjinë nga Brazili, të destinuar për të njëjtën kompani në Kosovë.
Sipas autoriteteve malazeze, gjatë kontrollit në rastin e parë u dyshua se etiketat origjinale të produkteve, ku ishte shënuar afati i skaduar, ishin hequr dhe ishin zëvendësuar me etiketa të tjera me afat të ndryshuar. Për këto dyshime, autoritetet kanë nisur procedurat përkatëse.
Dogana e Malit të Zi ka bërë të ditur gjithashtu se, përmes komunikimit me administratat doganore të vendeve fqinje, ka marrë informacione për parregullsi të dyshuara që lidhen me këtë kompani edhe në Portin e Durrësit. Sipas tyre, informacionet janë shkëmbyer me administratat doganore përkatëse dhe është njoftuar edhe Organizata Botërore e Doganave.
Ndërkohë, kompania **“Apetit SHPK”** është kontaktuar për një qëndrim lidhur me ndalimin e dërgesave, por deri në publikimin e informacionit nuk ka dhënë përgjigje.
Edhe Dogana e Kosovës është kontaktuar për të sqaruar nëse institucionet kosovare kanë qenë në dijeni për rastet dhe nëse janë ndërmarrë apo planifikohen masa përkatëse.
**Theksohet se ndalimi i ngarkesave dhe dyshimet e ngritura nga autoritetet malazeze janë pjesë e procedurave hetimore dhe nuk përbëjnë, në vetvete, një konstatim përfundimtar mbi përgjegjësinë e kompanisë apo personave të caktuar.**







Diskutime rreth kësaj post