Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla ka qenë dje i pranishëm në Berlin me kryeministrin Edi Rama, ku u pritën në një takim nga kancelarja gjermane, Angela Merkel. Takimi sipas deklaratave të kryeministrit qe shpresëdhënës për Shqipërinë dhe rrugën e saj drejt Bashkimit Europian.
Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Balla deklaron se kancelarja Merkel rikonfirmoi qartë pozicionin e Gjermanisë: “Mbi të gjitha, ne duam të arrijmë një marrëveshje në Këshillin Europian të ardhshëm në mars për të filluar bisedimet për anëtarësim me Shqipërinë dhe gjithashtu me Maqedoninë e Veriut. Të dy vendet kanë arritur shumë”, ka shkruar Taulant Balla në Facebook.
Sipas Ballës, partneriteti i Shqipërisë me kancelaren Merkel, është një simbol i besimit tek Europa. Sipas tij kjo marrëdhënie që ka vendi ynë me kancelaren Merkel, e shndërron atë në një simbol të simpatisë së popullit shqiptar për popullin gjerman.
“Kancelarja Merkel rikonfirmoi qartë pozicionin e Gjermanisë: “Mbi të gjitha, ne duam të arrijmë një marrëveshje në Këshillin Europian të ardhshëm në mars për të filluar bisedimet për anëtarësim me Shqipërinë dhe gjithashtu me Maqedoninë e Veriut. Të dy vendet kanë arritur shumë”. Shqipëria ka tek kancelarja Merkel një simbol të besimit tonë tek Europa, duke e shndërruar po ashtu kancelaren në një simbol të simpatisë së popullit shqiptar për popullin gjerman. Mirënjohje Kancelares dhe Bundestagut gjerman për vlerësimin dhe për mbështetjen e fortë në rrugën e Shqipërisë sonë drejt anëtarësimit në BE”, ka deklaruar Balla.
Kujtojmë se Rama dhe Balla u takuan me Merkel për Programin e Rindërtimit në prag të Konferencës së Donatorëve, që do të mbahet në Bruksel më 17 shkurt. Balla deklaroi mes të tjerash se Gjermania është një vend mik dhe partner shumë i rëndësishëm i Shqipërisë. “Ashtu siç garantoi kancelarja Merkel menjëherë pas goditjes tragjike të tërmetit të 26 nëntorit se “Gjermania dhe Bashkimi Evropian do t’ju mbështesin në këtë kohë të vështirë”, shpresojmë se qeveria federale do të jetë një kontribuues i rëndësishëm në fondin e rindërtimit”, ka shkruar Balla.
Sipas tij, 2020 është viti i rindërtimit, i ringritjes pas dëmeve të shkaktuara nga tërmeti. Brenda vitit 2020, çdo familje jashtë qytetit që ka humbur banesën individuale do të hyjë në një banesë të re.
Diskutime rreth kësaj post