Në Komisionin e Vlerësimit të Kandidatëve për deputet në PD po flitet që do të ketë figura që do t’i rikthehen Partisë Demokratike si Genc Ruli dhe Arben Imami.Për këtë temë ka folur edhe sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi i cili u shpreh se nuk dëshiron të flasë për emra të veçantë.
“Në formimin e këtij komisioni, kemi ndjekur modelet prej të cilëve jemi nisur ta bëjmë këtë demokratizim të brendshëm të partisë, modelit të Partisë Konservatore në Britani dhe me asistencën e Institutit Republikan Amerikan.
Na ka rezultuar që në këto panele vlerësimi, në këto komisione vlerësimi, janë gjithmonë figura që kanë një profil të lartë politik apo publik. Pra, mund të jenë figura që nuk kanë vetë ambicie për të qenë deputetë apo kryetarë bashkie, ky është një nga kriteret bazë për të qenë anëtar i këtyre komisioneve, por janë figura me një personalitet të spikatur dhe një kontribut të spikatur në parti, por edhe në shoqëri, sepse pjesë e këtij komisioni, do të jenë edhe përfaqësues të botës akademike.
Unë nuk dua të ndalem tek emrat e veçantë. I kam dëgjuar edhe unë emrat që përfliten, por më duhet të sqaroj se kjo do të jetë vendimmarrje e Kryesisë në një fazë tjetër. Pra, ende nuk ka anëtarë të emëruar në Komisionin e Vlerësimit të Kandidatëve. Do të jetë një proces që besoj do të fillojë rreth muajit korrik dhe do të përmbyllet jo më larg se data 25 korrik 2020.” tha ai.
Diskutime rreth kësaj post