Në një kohë që koronavirusi ka alarmuar gjithë botën, teksa po përhapet me shpejtësi edhe në Europë, duke shënuar plotë viktima, mjekja psikiatre, Arjana Rreli është shndërruar në një hero të këtyre ditëve, pasi ka dhënë disa këshilla për qytetarët, se si të ruajnë qetësinë në këtë situatë të vështirë të përhapjes së Covid-19, që fatkeqësisht ka prekur edhe Shqipërinë. Momentalisht, në vendin tonë numërohen 2 viktima dhe 64 të infektuar me koronavirus, ndërsa të gjithë qytetarët janë në karantinë në shtëpitë e tyre, për shkak të masave të marrë nga qeveria shqiptare. Por gjatë një interviste për gazetën “SOT”, zonja Rreli ka sqaruar me detaje mënyrat që duhen ndjekur nga qytetarët për të mposhtur ankthin që i ka kapluar, ndërsa ka zbuluar edhe disa nga rrugët se si duhet të sillemi me fëmijët e të moshuarit në kësisoj rastesh. Madje, e qartë dhe e drejtpërdrejt doktoresha dhe psikiatria theksoi se qytetarët shqiptar po kalojnë një tjetër traumë, pas asaj të tërmetit të 26 nëntorit 2019, pasi është diçka e panjohur për ta dhe nuk e dinë ku dhe si të sulmon ky virus.
-Dr. Rreli, ju jeni ndër specialiste më të mira në fushën e psikiatrisë. Jemi në një situatë pandemie për shkak të covid-19. Sa ndikojnë masat dhe informacionet e shumta në psikologjinë e qytetarëve?
Së pari ju falënderoj ju si media në emër të të gjithë kolegëve për gjithçka na mundësoni, që ne në këto ditë të vështira për Shqipërinë mund të përcjellim mesazhe, jovetëm ndërgjegjësimi dhe sensibilizimi, por edhe për çfarë kjo situatë kërkon që secili nga ne të përfshihet dhe të japë zgjidhjen e mirë për vete dhe për komunitetin. Përsa i përket informacionet që ne marrim çdo ditë për koronavirusin, sigurisht që ato kanë një limit deri ku psika jonë lejon dhe pëlqen informacionin për të reaguar në mbrojtje edhe të sistemit nervor, kjo në kuadër të gjithë mbrojtjes së organizmit. Duke u ndalur tek masat, dua të theksoj se ne duhet që ato t’i dëgjojmë dhe t’i respektojmë për sa kohë këto janë të vlefshme për secilin nga ne, por edhe në mbrojtje të komunitet ku të gjithë jetojmë. Por ama qoftë informacionet e ekzagjeruara, qoftë masat ekstreme nuk kanë një ndikim pozitiv. Sigurisht që ne jemi të ekspozuar ndaj tyre, për të bërë më të mirën për organizmin tonë, por gjithsesi do të duhej një lloj elasticiteti në atë që në i ofrojmë sistemit tonë nervor. Me ketë dua të them që informacionet sigurisht që janë të domosdoshme dhe ne do t’i pranojmë për sa kohë që ato na bëjnë të ndihemi mirë brenda sigurisë tonë. Mirëpo, nëse mëndja jonë kaq e brishtë aktualisht fillon edhe ndikohet edhe nga informacionet e tjera që rezultojnë lajme të rreme, kjo na bën dëmin shumë të madh për faktin se aktualisht sistemi jonë nervor, apo më mirë psika jonë pranon shumë më thjeshtë çdo lloj informacioni, pasi është goxha e brishtë për të pranuar atë edhe si të vërtet pa bërë analizën. Kështu që, tani është koha që lajmet e rreme të na ndikojnë më dëmshëm se në çdo kohë. Pikërisht, për këtë lloj fraxhiliteti që ka sistemi jonë nervor aktualisht. Masat, masat sigurisht që po i shërbejnë shëndetit tonë dhe janë masa që kanë rezultuar shumë efektive në vendet që më përpara Shqipërisë kanë kaluar këtë lloj infeksioni viral. Pra, këto janë masa që ne duhet t’i respektojmë.
-Armiku kryesor në këtë mes është ankthi. Si duhet vepruar që ta mposhtim?
Në kuadrin e gjithë kësaj gjendje të krijuar ne të gjithë jemi të ekspozuar ndaj një stresi kronik, i cili në disa persona bën që reagimi të shkojë deri në episode ankthi dhe atake paniku. Deri diku kjo situatë është krejtësisht e justifikueshme, pasi në të tilla kushte jemi vënë të gjithë ne. Pra, secili nga ne duhet që ta trajtojë si normale ndjesinë e të qenit deri diku nën stres me simptomat klasike, siç janë frika racionale për të ardhmen, pritshmëritë të cilat dikush mund t’i ekzagjerojë në anën negative, duke krijuar ankth ose atak paniku, apo reagime të tilla si shpërqendrim e reduktim të efektiviteti në punë, apo irritabliltet. Gjithsesi këto duhen pranuar si normale, duke vënë në paralel edhe situatën në të cilën ne ndodhemi. Kjo do të thotë se në kushte të tilla, ne sigurisht do të reagojmë me ankth minimal që do të jetë e jona, deri sa kjo situatë të mbarojë. Për sa i përket mënyrave se si ne mund të reduktojmë nivelin e këtij ankthi, secili mund të gjejë metodat e veta. Të gjithë ne kemi hapësirat tona kohore, të cilat tani duke se janë më tepër për secilin nga ne dhe që këto hapësira kohore duhet t’i shfrytëzojmë në hapësira të kufizuara të sipërfaqes ku ne jemi të detyruar të qëndrojmë tashmë dhe kjo duhet të na bëjë ne të gjithë brenda secilit prej nesh mënyra dhe metoda që këtë lloj ndërveprimi me ambientin ta kemi më racional. Për shembull secili nga ne ka dëshira dhe hobe që mund t’i realizojë brenda këtyre kushteve. Mos harroni që plot nga ne kanë libra që ende presin në bibliotekë për t’i lexuar. Kështu që, kjo është koha, pavarësisht se shpërqendrimi jonë mund të mos na shpërblejë dhe ne mund t’i rikthehemi faqeve të librit edhe një herë tjetër. Pra, unë dua të shtoj që askush nuk duhet të merakoset, pasi kjo gjë është normale. Një tjetër ka hobi, për ato që janë femra që të qëndisin, p.sh: le të nxjerrin nga duart e tyre punë të bukura. Dikush tjetër është shumë merakli pas gjërave të tij, kështu që është koha që t’i sistemojë ato edhe njëherë nga fillim, teksa është duke ndenjur në shtëpi. Dikush tjetër mund të zbulojë që i ka munguar koha e qëndrimit me fëmijët, kështu që mund të japë maksimumin. Pra, secili nga ne duhet të bëjë më të mirën në raport me të tjerët brenda familjes, por me qëllimin kryesor të të qenit mirë së pari me veten.
-A duhet të shqetësohemi apo duhet ta kalojmë si çdo grip tjetër?
Përsa i takon këtij infeksionin virusal, përveçse ky është i mbështjellë me një lloj të panjohure dhe e gjitha kjo bën që të na frikësojë, ku secili nga ne të përballet me këtë të panjohur me një ankth normal. Kështu që, nëse simptomat e gripit do të shfaqen, atëherë sipas specialistëve të fushës, por edhe për mendimin tim, se në fund të fundit edhe unë mjekësi të përgjithshme kam bërë, kjo duhet trajtuar ashtu si një grip tjetër. Kjo do të thotë se nëse ne kemi shenjat e plota të kësaj viroze, temperaturën, kollën, vështirësinë në frymëmarrje, të gjitha këto do të na bëjnë që ne të marrim masa siç specialistët këshillojnë për trajtimin në kushtet e shtëpisë. Kjo gjë do të ndihmonte edhe personelin mjekësor për të bërë detyrën e vetë, në më të mirën e mundshme me personat që kanë shumë më tepër nevojë se ne që mund të vuajmë simptomat klasike të këtij gripi dhe mund t’i menaxhojmë vetë. Sa i takon pjesë tjetër, sigurisht që nuk duhet të neglizhojmë nëse shohim që gjendja na rëndohet, ku duhet të thërrasim 127 siç do njëri nga ne tashmë e di dhe është lajmëruar të bëjë për të shmangur çdo lloj komplikacioni që kërkon ndërhyrje më të specializuar.
-Ne kemi një eksperiencë të afërt dhe me tërmetin, ku pati shumë panik. Në eksperiencën tuaj, a mund t’i përballojnë shqiptarët këto situata?
Është e vërtet që kalimi i traumës së tërmetit la gjurmë tek ne, tek secili nga qytetarët shqiptarë dhe situata aktuale na gjen të gjithëve të brishtë për të përballuar edhe një sulm tjetër si ky aktuali. Kjo do të thotë se ankthi që parapriu pas tërmetit, disa persona i gjen subjekte gjysëm të gatshëm për të mbivendosur edhe ankthin që situata që po kalojmë për shkak të Covid-19 krijon normalisht. Megjithatë, në një këndvështrim pozitiv çdo betejë të nxjerr më të fortë, nëse e fiton. Kështu që, për persona të tjerë të cilët kanë mundur të superiojnë gjendjen e ankthit ndaj tërmetit në më të mirën e vetë, kjo situatë i gjen edhe më të fortë për ta përballuar edhe njëherë tjetër me mekanizma të reja mbrojtëse dhe për ta fituar edhe këtë betejë. Sigurisht që arma kryesore është inteligjenca jonë, ku nuk duhet t’i pranojmë situata ashtu siç na vinë dhe të marrim të gjitha masat për të përballuar këtë gjendje të re me të cilën përballet sistemi nervor dhe çdo betoj e fituar na jep edhe njëherë një trofe tjetër në dorë për ta konsideruar veten të fortë.
-Po fëmijët dhe të moshuarit sa të rrezikuar janë? Si tua shpjegojmë fëmijëve situatën ku gjendemi?
Ashtu si në situatën pas tërmetit të 26 nëntorit, fëmijët dhe të moshuarit janë kontingjenti më vunerabël. Kjo për faktin se fëmijët sigurisht kanë një fantazi, e cila mund të amplifikohet si për mirë ashtu edhe për keq. Gjë që do të thotë se nëse ne atyre këtë situatë ua shpjegojmë me qetësi dhe pa i transmetuar ankthet tona, ata do të jenë të gjithë të përfshirë në këtë zgjidhje brenda familjes. Por nëse ne edhe në bisedat tona dhe reagimet tona shfaqim ankthin tonë, kjo gjë do të bëjë që fantazia e fëmijëve të anojë në polin negativ. Nga kjo pikëpamje, kjo gjë që do të çojë në një importim të një sjellje e cila më pas do të jetë problematike duke cenuar vazhdimësinë e ekuilibrave të shëndetit mendor. Për këtë arsye duhet gjithmonë që të kemi parasysh jovetëm reagimet tona, sepse kjo gjë do të shabllonohet menjëherë dhe do të mjerimi shembull menjëherë nga fëmijët. Kështu që, ne duhet të zgjedhim edhe mënyrën e shpjegimit të kësaj situata me ata. Nga ana tjetër, është mirë që fëmijët t’i bëjmë pjesë aktive të veprimeve tona qoftë brenda, ashtu edhe të veprimeve tona brenda familjes dhe t’i bëjmë ata të ndihen të vlefshëm dhe të përfshihen qoftë në punët e shtëpisë, qoftë në gatime, apo në tregime e lojëra, që jovetëm t’i japim kohën e munguar, por edhe t’iu tregojmë që jemi gjithmonë pranë tyre për të kaluar situata të vështira sëbashku. Sa i takon të moshuarve edhe ata janë shumë të ndjeshëm ndaj kësaj situate. Shumica prej nesh të gjendur në kushtet e jetesës larg prindërve dhe në kushtet kur nuk duhet t’i takojmë për shkak se duhet t’i mbrojmë ata nga infektimi i këtij virusi, ne nuk duhet të mungojmë së paku me telefonatat tona. Të moshuarit kanë nevojë tashmë që të gjenden në qendër të vëmendjes edhe për faktin se ky virusi jovetëm mund t’i sulmojë fizikisht, por i ka sulmuar tashmë më shumë psikologjikisht. Duke u përmendur shumë herë që fat ky virus prek moshat e vjetra, ata gjenden si në qendër të tabelës së qitjes, jovetëm të brishtë me shëndetin e tyre për ta përballuar këtë infeksion viral, por tashmë edhe të brishtë emocionalisht për sa i përket forcave të tyre mbrojtëse psikologjike ndaj këtij virusi. Sepse ndihet mirë që çdo sulm psikologjik ul forcat tona imunitar. Imagjinoni moshat e kaluar, ku forcat imunitar kanë rënë bashkë me moshën, ku problematikat e sëmundjeve kronike gjithashtu i kanë bërë ata shumë të brishtë ndaj këtij virusi. Por edhe ky sulm psikologjik që është krijuar padashje krijon plot probleme që vërtet kërkojnë suportin tonë edhe psikologjik ndaj tyre. Kështu që, në një mënyrë ose në një tjetër pranë prindërve tanë, pranë gjyshërve tanë për t’i ndihmuar edhe njëherë ata që ta kalojnë sëbashku me ne që ta kalojnë sa më lehtë këtë situatë./ Intervistoi: Rigels Seliman
Diskutime rreth kësaj post