Prokuroria e Tiranës pritet që sot të vendosë për fatin e dosjes hetimore për lobimet e Lulzim Bashës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në fillim të javës, kryeprokurorja e Tiranës Elisabeta Imeraj zhvilloi një mbledhje me 3 prokurorët e çështjes “Basha”, Ervin Karanxha, Gjergji Tako dhe Kolë Hysenaj.
Imeraj u kërkoi informacion me shkrim dy prokurorëve për procedurat e ndjekura gjatë hetimeve, si dhe mbi vendimin e marrë më pas duke ju lënë 3 ditë afat. Po ashtu, Imeraj ka kërkuar sqarim nga dy prokurorët Ervin Karanxha dhe Gjergji Tako, se përse pushuan akuzën e pastrimit të parave ndaj kreut të PD, Lulzim Basha dhe për mënyrën sesi është përjashtuar nga vendimi, prokurori tjetër, Kol Hysenaj.
Po ashtu, një tjetër çështje që është diskutuar në mbledhjen e të hënës ka të bëjë me faktin se përse dy nga prokurorët e çështjes nuk kanë marrë në pyetje Nikolas Muzin, pas marrjes së dakordësisë nga pala amerikane, që lejonte prokuroritë shqiptare për të pasur dëshminë e tij. Mësohet se prokurori Hysenaj nuk ka qenë dakord me mbylljen e hetimeve pa u marrë në pyetje Nik Muzin, i cili konsiderohet një person kyç në këtë çështje.
Por dosja “Basha” ka mbetur e bllokuar në protokollin e prokurorisë që prej ditës së hënë. Sot skadon afati 3 ditor për dosjen kundër kreut demokrat dhe 2 zyrtarëve të tjerë të PD dhe pritet që Prokuroria e Tiranës të vendosë nëse kjo dosje do shkojë për gjykim në gjykatë apo do të rikthehet për hetim.
Akuza ndaj Bashës
Por për dosjen në fjalë foli dy ditë më parë ish-Sekretari i Përgjithshëm i PD, Arben Ristani, i cili edhe ky është i pandehur. Gjatë një interviste televizive, Ristani mohoi që ai të jetë i përfshirë në lobimet ruse, duke theksuar se kontratën e ka firmosur vetë kryeopozitari Lulzim Basha dhe lobisti amerikan Muzin. Sipas Ristanit, selia blu i ka bërë deklarimet në KQZ, ku shtoi edhe deklarimet që kishte bërë lobisti amerikan nga një shoqëri skoceze.
“Unë nuk kam firmosur dhe as kam qenë në dijeni të kësaj historie sepse kjo çështje nuk ka kaluar në kryesinë e PD-së është një marrëdhënie që kryetari në emër të PD-së ka lidhur një marrëveshje me lobuesin, unë nuk kam qenë në dijeni. Marrëveshja u depozitua te sektori i financës, që më pas që bëri deklarimet te KQZ-ja apo tatimet. Më vonë Muzin ka bërë deklarim të përsëritur atje në institucionet e përsëritura, ku ka pretenduar se ka marrë 150 mijë dollarë nga një shoqëri skoceze dhe 500 mijë të tjerë”, tha Ristani.
Reagon Balla
Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla u shpreh ditën e djeshme se në çështjen e lobimit të Partisë Demokratike Arben Ristani është sa bashkëpunëtor aq edhe dëshmitar. Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ai tha se hetimi i plotë i kësaj çështjeje duhet të zbardhë dhe se kush ishte personi që transportoi paratë e lobimit nga Shqipëria në Skoci.
“I pandehuri: Lulzim Basha, i biri i Xhelal dhe i Remzije i datëlindjes 12.06.1974, lindur dhe banues në Tiranë, Pallati afër ish-Hotel Sheraton, me gjendje civile i martuar, me shtetësi shqiptare, me gjendje gjyqësore i pandehur, hetuar pa masë sigurimi. Akuzuar se ka kryer veprën penale të “Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve” dhe të “Pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” të parashikuar nga nenet 190/3 dhe 287-ç/2 të Kodit Penal. Ristani është sa bashkëpunëtor, aq edhe dëshmitar: “Kemi një kontratë zyrtare të firmosur nga kryetari i partisë dhe një lobist amerikan, Muzin. Është një marrëdhënie që kryetari në emër të PD-së ka lidhur një marrëveshje me lobuesin, unë nuk kam qenë në dijeni”. Hetimi i plotë duhet të zbardhë edhe kush ishte personi që transportoi paratë nga Shqipëria në Skoci”, tha Balla.
Diskutime rreth kësaj post