Gjykata Kushtetuese rrezikon që të ndezë një luftë të fortë mes presidentit Ilir Meta dhe ndërkombëtarëve. Meta dekretoi dje Marsida Xhaferllarin si anëtare të Kushtetueses, duke mos pranuar kandidaturën. Por veprimi i presidenti pritet të hapë një konflikt të ri, pasi mazhoranca nuk e njeh dekretin e tij.
Ligji e përcakton qartë se presidenti ka 30 ditë afat, por veprimi i djeshëm i Metës ka qenë jashtë afateve. Por beteja që ka nisur për Kushtetuesen rrezikon ta përplasë presidentin me ndërkombëtarët. Ditën e djeshme ka folur ministri i Jashtëm i Gjermanisë Heiko Mass, i cili ka dhënë një mesazh të fortë për të gjitha palët, por kryesisht për Metën, teksa ka deklaruar se nuk duhet të ketë asnjë vonesë për Kushtetuesen.
Ministri i Jashtëm gjerman Heiko Maas tha dje se reforma në fushën e drejtësisë, me të cilën Shqipëria po tregon një shembull të mirë në rajon, është në rrugën e duhur. Ai e ka vendosur theksin tek Gjykata Kushtetuese, teksa ka deklaruar se Gjykata Kushtetuese duhet të fillojë punën menjëherë.
“Reforma në fushën e drejtësisë, me të cilën Shqipëria po tregon një shembull të mirë në rajon është në rrugën e duhur. E rëndësishme është që tani të gjithë të kontribuojnë që Gjykata Kushtetuese të fillojë pa u vonuar punën”, ka deklaruar dje Mass.
I pyetur se çfarë pret të bëjnë Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut në situatën kur nuk u mor vendim për negociatat me BE-në, Maas tha se të dyja vendet kanë bërë hapa para dhe theksoi se duhet të vazhdojnë me reformat. Po ashtu ai shtoi se reformat nuk janё vetëm për të hyrë në BE, por për t’i shërbyer vetë politikave të brendshme të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.
“Unë dua t’u jap zemër Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, si edhe vendeve të tjera të rajonit që të vazhdojnë me konsekuencë kursin reformues edhe për një arsye tjetër: Reformat nuk shërbejnë vetëm për afrimin me BE, ato janë të rëndësishme sepse janë në dobi të njerëzve. Forcimi i shtetit të së drejtës, luftimi me vendosmëri i korrupsionit dhe kriminalitetit të organizuar janë detyrat kryesore të çdo qeverie, që do të ardhmen e vendit të vet. Edhe opozita mban përgjegjësi. Konkurrenca politike dhe idetë konkurruese, që janë të zakonshme dhe të domosdoshme në demokraci nuk duhet ta paralizojnë zhvillimin e vendit”, ka deklaruar Mass.
Diskutime rreth kësaj post