Në Shqipëri një operacion i përbashkët i Policisë dhe Prokurorisë për Krimet e Rënda çoi në sekuestrimin gjatë natës, në Portin e Durrësit, të një sasie rekord kokaine.
“Si rezultat i këtij operacioni u bë i mundur kapja dhe sekuestrimi i një sasie rekord prej 613 kilogramë e 350 gramë lënde narkotike e dyshuar kokainë, me vlerë tregu mbi 180 milion euro”, deklaroi Drejtori i Përgjithshëm i Policisë shqiptare Ardi Veliu, duke shpjeguar se “hetimet kanë dokumentuar se lënda narkotike ishte nisur me kontenier nga Kolumbia duke kaluar tranzit përmes Italisë, në Maltë e më pas me anije ka mbërritur në Portin e Durrësit në Shqipëri, në datën 19 shkurt 2018.
Kokaina ishte e fshehur në kontenier me dysheme të dyfishtë, të ngarkuar me banane. Sasia e lëndës narkotike ishte e paketuar në 528 pako, të mbështjella me letër natriban me kode të vendosura nga trafikantët”.
Drejtori i Policisë tha se operacioni ka nisur mbrëmjen e djeshme në Portin Detar të Durrësit, në momentin që ngarkesa e ligjshme me banane, u mor në dorëzim nga firma porositëse “Arbri Garden” shpk, me pronar shtetasin A.Ç. “Kontenieri i mbërritur në Portin e Durrësit, u mbajt nën vëzhgim të pandërprerë deri sa mbërriti në magazinat e firmës, nga strukturat e Policisë së Shtetit.
Shërbimet e Policisë kanë rrethuar në perimetrin e jashtëm objektin e më pas kanë ndërhyrë në brendësi të magazinës. Pas kontrollit të imtësishëm të kontenierit, kanë bërë të mundur gjetjen dhe sekuestrimin e lëndës narkotike”, tha zoti Veliu.
Në pranga kanë përfunduar dy të rinj shqiptarë ndërsa është shpallur në kërkim pronari i firmës që kishte porositur ngarkesën me banana. Drejtuesi i Prokurorisë për Krimet e Rënda deklaroi në konferencën për shtyp se hetimet rreth kësaj çështjeje janë ende në vijim. Kapja e kësaj sasie u bë falë një bashkëpunimi me disa agjensi të huaja. Sipas të gjitha gjasave, dorga do të magazinohej në Shqipëri për t’u shpërndarë më pas në sasi të vogla drejt tregjeve europiane.
Diskutime rreth kësaj post