E premte , 9 Dhjetor 2016
Kreu / Aktualitet / Hapet Konsullata e Armenisë në Tiranë
Takim-komuniteti.Foto-Flor-Abazaj-7-370x281

Hapet Konsullata e Armenisë në Tiranë

Hapet Konsullata e Armenisë në Tiranë

Gjatë një ceremonie të veçantë u prezantua në Tiranë Konsulli i Nderit i Republikës së Armenisë në Shqipëri, Varuzhan Piranjani. Në këtë ceremoni morën pjesë përfaqësues të ministrisë së Jashtme shqiptare dhe dikastereve të tjerë të rëndësishme, konsuj të nderit të disa vendeve, përfaqësues të medias e biznesit, komunitetit armen në Shqipëri, etj.

Hapja e kësaj konsullate do të shërbejë në strukturimin e bashkëpunimit mes dy vendeve në sferën e zhvillimit të përbashkët ekonomik, shkëmbimeve tregtare, kulturore, turistike dhe realizimit të projekteve të rëndësishme.

Konsulli i Nderit, Varuzhan Piranjani: Turizmi  është një fushë ku mund e duhet të zhvillohet një aktivitet nga të dyja vendet.

Në fjalën e tij gjatë ceremonisë, Konsulli i Nderit, Varuzhan Piranjani, theksoi nevojën e thellimit të bashkëpunimit ndërshtetëror midis dy vendeve, ndërsa vlerësoi marrëdhëniet jashtëzakonisht të mira mes tyre.

“Dy vende, të cilat për nga madhësia gjeografike dhe popullsia janë përafërsisht të njëjtë, me gjuhë nga e njëjta familje indo-europiane, por njëkohësisht të veçanta e unike, objekt i studimeve të rëndësishme historike dhe linguistike. Dy vende me histori e kulturë të lashtë që kanë lënë gjurmë në shekuj. Armenia, cilësohet shteti i parë në botë që përqafoi kristianizmin në shekullin e 3-të dhe një nga vendet e para me një alfabet unik që në shekullin e 4-t. Mjaftojne vetëm këto dy fakte historike për të kuptuar rolin dhe kontributin e Armenisë dhe armenëve. Është hera e parë në histori që Armenia ka një konsull nderi në Shqipëri dhe unë jam shume i nderuar dhe njëkohësisht ndjej një përgjegjësi të madhe për detyrën e rëndësishme që më është ngarkuar. Duke patur një baba armen dhe një nëne shqiptare, kjo më bën edhe më të ndërgjegjshëm e pasionant në përmbushjen me sukses të kësaj detyre. Është mirë që nga stadi i sotëm i mungesës së informacionit, të fillojë e të zhvillohet ky shkëmbim informacioni midis dy vendeve në fushën e kulturës, ekonomisë, turizmit, e më gjerë”, deklaroi Piranjani.

Prandaj, e vijoi fjalën ai, vendosja e konsullit të nderit përbën një hap të rëndësishëm për fillimin e këtij bashkëpunimi. Ai shprehu bindjen se ky bashkëpunim do të japë frytet e veta. Hapat e parë kanë filluar, tha Piranjani, me botimin e fjalorëve dhe librave, përgatitjen e dokumentarëve mbi komunitetin armen në Shqipëri, organizimin e takimeve të komunitetit me përfaqësues të Armenisë, ndeshjeve miqësore të ekipeve kombëtare të futbollit, të atletikës, të peshëngritjes etj.

Z. Pirnajani theksoi më tej se Armenia ka patur kohët e fundit ndryshime të rëndësishme në të gjitha drejtimet, si në ekonomi, kulturë, modernizimin e jetës e sidomos rinisë, si dhe një hapje shumë më të madhe ndaj botës, një infrastrukturë të përmirësuar ndjeshëm dhe një rritje të madhe të numrit të turistëve jo vetëm nga diaspora. Turizmi, vuri theksin Piranjani, është një fushë ku mund e duhet të zhvillohet një aktivitet nga të dyja vendet.

Takim-komuniteti.Foto Flor Abazaj (2)“Nga njëra anë, Armenia, me terrenin e saj malor, me objektet e panumërta historike dhe muzetë që dëshmojnë një kulturë të lashtë e të pasur dhe nga ana tjetër, Shqipëria, me natyrën e saj të butë dhe bregdetin e bukur, kanë cfarë t’u ofrojnë qytetarëve të të dy vendeve. Organizimi i aktivitteve të ndryshme si, ekspozita artistike, takime sportive miqësore, shfaqje muzikore, etj, do të jenë raste të mira për të prezantuar thesarin kulturor të të dy vendeve. Njohja e mundësive dhe krijimi i lehtësive për investime në Armeni e Shqipëri është një tjetër fushë që do të inkurajohet si nëpërmjet dhomave të tregtisë të dy vendeve, ashtu edhe nëpërmjet pjesmarrjes në panaire në Armeni apo Shqipëri, ku mund të përmendja si shembull industrinë agroushqimore. Ndeshja e fundit midis dy ekipeve kombëtare të futbollit ishte një tjetër rast për të njohur me mirë reciprokisht Armeninë dhe Shqipërinë”, deklaroi Piranjani.

Konsulli i Nderit i Armenisë në vendin tonë theksoi ndër të tjera se diaspora armene është një faktor tepër i rëndësishëm për Armeninë, duke qenë se rreth 8 milion armenë bëjnë pjesë në këtë diasporë. Ata, përveç kontributit të jashtëzakonshëm në ekonominë e vendit, u shpreh Piranjani, janë bërë edhe ambasadorët më të mirë të Armenisë dhe armenëve në botë, nëpërmjet njerëzve të tyre më të shquar si, artiste, biznesmenë, politikanë, sportistë etj. Këtu ai veçoi zërin Sharl Aznavour , i cili dëgjohej në sfond e që ai e cilësoi si të mrekullueshëm.

Komuniteti armen në Shqipëri, informoi Piranjani, ka qenë dhe mbetet një komunitet shumë i vogël, por tepër solid. Këtu jetojnë, sipas tij, rreth 30-35 familje me origjinë armene, të cilat kanë ruajtur një pjesë të mirë të zakoneve dhe jo në pak raste edhe gjuhën armene. Ky komunitet i vogël, u shpreh Piranjani, ka patur fatin të jetojë mes shqiptarëve, të cilët nënvizoi ai, janë treguar jashtëzakonisht mikpritës që me ardhjen e tyre në Shqipëri e deri në ditët e sotme.

“Ata gjetën në Shqipëri një atdhe të dytë dhe u integruan lehtësisht në shoqërinë shqiptare dhe për këtë ata janë e do të jenë gjithmonë mirënjohës shqiptarëve. Pothuajse të gjithë pjesëtarët e këtij komuniteti kanë arritur të shkollohen në universitete dhe dihet tashmë që ata kanë bërë emër të mirë në Shqipëri, në profesionet e tyre si, profesorë, inxhinierë, mjekë, artistë, ekonomistë etj., por mbi të gjitha, si njerëz punëtore e të ndershëm”, deklaroi konsulli armen në vendin tonë.

Ambasadori i Armenisë, Gagik Ghalatchian, në Shqipëri (rezident në Greqi): Piranjani nuk do t’i kursejë përpjekjet për të nxitur dhe inkurajuar në mënyrë konstruktive marrëdhëniet ndërmjet Armenisë e Shqipërisë

Takim-komuniteti.Foto Flor Abazaj (5)Ambasadori i Armenisë, Gagik Ghalatchian, në Shqipëri (rezident në Greqi) përmes një mesazhi uroi Konsullin armen në vendin tonë, Piranjani. “Në emët të Ambasadës së Republikës së Armenisë dhe në emrin tim personal ju uroj nga zemra ju dhe kumunitetin armen në Shqipëri me rastin e hapjes së Konsullatës së Nderit të Republikës së Armenisë në Tiranë”, shkruhej në mesazhin e urimit.

Armenia i kushton një rëndësi të madhe, shprehet diplomati armen, zhvillimit të mëtejshëm të marëdhënieve miqëqore të cilat fatmirësisht ekzistojnë ndërmjet dy vendeve tona. “Është dëshira jonë për të zgjeruar bashkëpunimin dypalësh me Shqipërinë në të gjitha fushat me interes reciprok dhe hapja e Konsullatës së Nderit është një hap praktik dhe thelbsor në këtë drejtim. Kam besim të plotë që Konsullata e Nderit do të kntribuojë dukshëm në zhvillimin e lidhjeve tregtare, ekonomike, kulturore dhe shkencore ndërmjet dy vendeve”, deklaroi ambasadori armen, Ghalatchian.

Ai shpreh bindjen se z. Piranjani nuk do t’i kurseje përpjekjet për të nxitur dhe inkurajuar në mënyrë konstruktive marrëdhëniet ndërmjet Armenisë e Shqipërisë në dobi të të dy vendeve dhe popujve.

Kryetari i komunitetit të armenëve në Shqipëri, Xovasar Çakmakxhian: 100 për qind shqiptar dhe 100 % armen

Takim-komuniteti.Foto Flor Abazaj (4)

Kryetari i komunitetit të armenëve në Shqipëri, Xovasar Çakmakxhian

Kryetari i komunitetit të armenëve në Shqipëri, Xovasar Çakmakxhian, duke marë fjalën para të ftuarve tregoi historinë e këtij komuniteti në Shqipëri. Ajo nis në vitet 1914-1915 dhe 1920-1922.

Në atë kohë nis të krijohet në Shqipëri edhe një komunitet tepër i veçantë, siç është ai armen. Dy armenët e parë që erdhën në Shqipëri ishin nga familja Ballxhian dhe Bodikian, të cilët erdhën si pjesë e ushtrisë otomane në vitin 1913 dhe më pas, me shpalljen e Pavarësisë, qëndruan në Shqipëri duke krijuar familjet e tyre me gra shqiptare dhe u vendosën në Elbasan.

Më 1915 filluan të vinin në masë armenët e parë, të cilët erdhën duke ndjekur rrugët nga Greqia dhe Siria, shkak për t’ju larguar vrasjeve nga turqit. Ata u shpërndanë edhe në pjesë të tjera të botës. Një pjesë e madhe u vendos në Francë: mbi treqind mijë armenë. Më 1922-1924, gjatë kohës së Zogut u sistemuan rreth 30-50 familje armene.

Në fillimet e tyre një pjesë e armenëve u morën me punë artizanale, nga ku spikateshin Jahanexhianët që u morën me prodhimin e hallvës, më pas ishin Piraxhianët që u morën me tregëtimin e kafesë, etj. Një pjesë tjetër u mor me punë intelektuale.

Në kohën e Mbretit Zog, Poturlian (Mokini) ishte doktori personal i Zogit. Pas viteve ’90, armenët nisën të kishin kontakte me komunitetet e tjera jashtë vendit, kryesisht me diasporën e tyre në Greqi dhe me diasporën e tyre e cila ishte në numër më të madh në Francë, një diasporë kjo e fundit, që edhe sot është nga më të fuqishmet e armenëve. Në 1991 armenët e Shqipërisë krijuan edhe Shoqatën Kulturore Armenët në Shqipëri.

Vizita e kreut të kishës armene në Shqipëri

Më 1993 Arqipeshkvi i kishës Armene në Francë dhe i diasporës në Europën Perëndimore, Gyut Naggashian, zhvilloi një vizitë në Shqipëri, ku mblodhi komunitetin armen në një takim që u mbajt në kishën e Shen Anonit në Tiranë.
“Mikpritja e shqiptarëve ishte tepër e madhe për armenët”, tregon Xovasar. Marrëdhëniet midis këtij komuniteti dhe popullsisë shqiptare ishin vërtet shumë të mira, gjë që reflektohej jo vetëm në mikpritjen e shkëlqyer që ju bënë atyre, por edhe në martesat e ndryshme ndërmjet tyre, ndihmave si dhe respektit reciprok.

Armenët për vite me rradhë kanë ruajtur traditat e tyre, si gjuhën, fenë, ditët e caktuara etj. Armenët ditën e Krishtlindjes e festojnë më 6 janar ndryshe nga të tjerët që e festojnë atë më 25 Dhjetor, ngaqë i përkasin një dege të ndryshme, e re edhe për Shqipëtarët që është ajo Gregoriane, një fe që qëndron midis fesë Katolike dhe Ortodokse por më shumë afrohet me atë Ortodokse.

Ata kanë ruajtur nder breza gjuhën armene. Disa prej këtyre armenëve mbajnë edhe kombësinë armene ashtu si edhe Xovasar. Një tradite tepër e veçantë është ajo e dasmës. Nuses para se të hyjë në shtëpi, i theret një gjel në këmbët e saj dhe më pas përpara derës ajo duhet të thyejë me një këmbë, një pjatë të vendosur përmbys në këmbët e saj.

Sot në Shqipëri ndodhen rreth 800 armenë. Z. Xovasar sot e cilëson veten e tij “100 për qind armen”, si rrjedhojë e prindërve të tij armenë por edhe “100 për qind shqiptar”, duke qëne se ka lindur, është rritur dhe gjithçka që ka krijuar e ka krijuar në Shqipëri.

Kisha armene në Shqipëri

Sipas një studimi të kryer nga Gjin Varfi, në fshatin Armen të Vlorës, ndodhet një kishë që mendohet të jetë ndërtuar nga bashkësi armene në Shqipëri. Kisha e Shën Kollit mendohet të ketë prejardhje nga Armenia për shkak se ka shumë ngjashmëri me kishat tipike të armenëve. Ajo bën pjesë në grupin e “Kishave me kupolë mbi tambur”.

Periudha Bizantine e ndërtimit të saj (shekulli XI – XII), mund të jetë kohë e mundshme për vendosjen e ndonjë bashkësie armene në kuadër të lëvizjeve brenda territoreve të Perandorisë Bizantine. Kjo kishë është e vetme në llojin e saj në të gjithë trevat shqiptare. Të tilla kisha filluan të ndërtohen për herë të pare, sipas studiuesve, në shekujt V-VI.

Kjo kishë është e përafërt me kishat e ndërtuara ne Kotorr (Mal të Zi) dhe në Stanimak, Baçkovo (Bullgari), të ndërtuara në shekujt XI-XII. Këto fakte janë një dëshmi e cila tregon se armenët në Shqipëri nuk kanë ardhur vetëm në shekullin e 20-të por ata kanë ardhur shumë kohë me përpara, përkatësisht gati dhjetë shekuj më përpara.

Mos humbisni

dimitra

“Mimi” grek që e nxorrën me qen e mace dhe prapaskenat e sulmit ndaj Mimit shqiptar

Sido që të jetë, efektin si lajm prej “shoubizi” një titull grek mbi ministren e …

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.