Mbi 12 mijë fermerë përfitues të mbështetjes financiare
Ministria e Bujqësisë ka planifikuar për vitin 2016 të japë mbështetje financiare për projektet e 12 mijë fermerëve në të gjithë vendin, me synim stimulimin e përdorimit të teknologjive të zhvilluara që nxisin rritjen e prodhimit.
Burime nga dikasteri i Bujqësisë bëjnë të ditur se, politikat mbështetëse për bujqësisë gjatë këtij viti do të adresojnë investime në përmirësimin e infrastrukturës së ujitjes dhe kullimit, promovimin dhe implementimin e standardeve të sigurisë ushqimore si dhe masa për formalizimin e sektorit të peshkimit dhe të bujqësisë në tërësi.
Në vitin 2015 u dhanë 3.3 miliardë lekë në formën e mbështetjes për fermerët. Nga skemat kombëtare të 2015-s, në vlerën 1.6 miliardë lekë përfituan 10 800 fermerë, ku pesha kryesore u përdor për investime. Nga përmirësimi i efektivitetit të skemave mbështetëse do të rritet në 12,000 numri i fermerë përfitues për vitin 2016.
Krahas programit të subvencionimit, këtë vit qeveria në bashkëpunim me BERZH-in do të vërë në zbatim një fond prej 75 milionë euro si garanci të posaçme për bankat që do gjenerojnë 300 milionë euro kredi për fermerët. Kjo nuk është skema e parë e garancive financiare për sektorin privat adresuar bujqësisë, sektori që jep 20 për qind të prodhimit kombëtar dhe punëson gati gjysmën e popullsisë.
Diskutime rreth kësaj post