Nga Fatjon Baze
Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, foli mbrëmjen e djeshme në dritaren e tij televizive “Supersport” për vitin futbollistik si dhe për sfidat që e presin në vitin e ri, pasi një nga ngjarjet më të rëndësishme në 2018-tën që do të jetë dhe një vit shumë i rëndësishëm për fatet e futbollit shqiptar janë zgjedhjet për kreun e ri të këtij institucioni që do të zhvillohen në muajin Mars. Të gjithë gazetarët e këtij televizioni nxituan të nxirrnin që një ditë përpara pjesën kur Duka theksonte se “Vetëm Zoti duhet të të thotë mjaft. Mjaft duhet të thotë ai që nuk ka asgjë, ai që ka duhet të luftojë gjithmonë për më shumë”, duke na lënë të nënkuptojmë se ai ka ende shumë për të dhënë për futbollit edhe pse ka 4 mandate ose 16 vite në krye të atij institucioni dhe gjërat që ka bërë janë me pikatore.
Por, çfarë mund t’i jap më Armand Duka futbollit shqiptar, ku në çdo fund sezoni institucioni që ai drejton është gjithmonë në qëndër të akuzave për abuzim të garës dhe përcaktim të fituesit të kampionatit. Viti 2017 u mbyll në mënyrë të turpshme pasi Kukësi që u shpall kampion për herë të parë në histori mori një titull që nuk të jep shijen e vërtet të një kampioni. Ishte një mbyllje skandaloze ku të gjithë e pamë se çfarë bëri gjyqtari Enea Jorgji, për t’i dhënë titullin kampion kësaj skuadre duke dhënë disa vendime që ishin skandaloze.
Në vitin 2017 ra nga Kategoria klubi më i madh i futbollit shqiptar, Tirana, që Duka tha se nuk ishte skuadra më e dobët e kampionatit por u dënua nga fati, ndërsa harroi të përmende ato ndeshje të turpshme që ky ekip zhvilloi me Kukësin që janë tepër dyshuese dhe Zoti u dha atë që meritonin për shkak të padrejtesësisë që këto dy ekipe bënë, njëra ra një kategori me poshtë dhe tjetri mori një titull që nuk të bën të ndihesh kampion.
I pyetur gjithashtu se dy ekipe të Kategorisë Superiore kanë kontestime për arsyen se gara është e përcaktuar, Duka gjeti menjëherë një justifikim absurd duke theksuar se “Fajin e ka vetë skuadra, kur nuk fiton një ndeshje, apo nuk arrin një rezultat. Futbolli është lojë e gabimeve arbitrare, por në fund gjithsecili merr atë që meriton”.
Por, a ka marrë atë që i takon dhe meriton klubi i Flamurtarit këtë sezon, ku është një nga ekipet që është masakruar në mënyrë tendicioze nga ana e gjyqtarëve, për shkak se është një nga klubet që e ka kontestuar ashpër mënyrën se si po drejtohet futbolli shqiptar. Është nga skuadrat që në rast se nuk do të kishte ato penalizime të gjyqtarëve në mënyrë tendicioze do të ishte sot me një diferencë të ngushtë me ekipin kryesues që është Skënderbeu. Vetëm këtu tek ne sheh që arbitrat komandohen sipas qefit të FSHF-së duke marrë urdhra prej këtij institucioni, edhe pse duhet të ishin një sector krejtësisht i pavaruar.
Çfarë mund t’i jap më futbollit shqiptar Armando Duka, ku në çdo vit kemi një zbrasje të frikshme të stadiumeve. Dhuna vijon të mbetet ende prezent ku rastet më të fundit janë ai në ndeshjen mes Laçit dhe Kukësit në Kategorinë Superiore, por që Duka tha se në këtë kategori dhuna është zeruar por që faktet tregojnë të kundërtë. Dhuna në ndeshjen e Kategorisë së dytë mes Përmetit dhe Këlcyres ku gjyqtari u dhunua në mënyrë barbare nga ana e lojtarëve të cilët hidhnin akuza se ai e kishte vendosur që në fillim se kush ekip do ta fitonte ndeshjen, edhe pse veprimi i tyre gjithsesi nuk justifikohet, por tregon mënyrën se si këtu vendosen ndeshjet që në fillim.
Çfarë mund t’i jap ende futbollit shqiptar Armando Duka, kur institucioni që ai drejton nuk ngurron që të abuzojë edhe me fëmijët, duke kujtuar këtu projektin e “Grasroots” për të cilin UEFA akordon një fond prej 100 mijë eurosh për tu ofruar kushte komode fëmijëve që të stërviten, por që këtu tek ne i lëshuan nëpër trotuare duke u rrezikuar jetën.
Zoti është në dijeni të të gjitha këtyre gjërave dhe një ditë do përgjigjesh për të gjitha këto mëkate që ke kryer.
Nuk ngurroi që të bënte sikur ende nuk e kishte vendosur nëse do të kandidonte në zgjedhjet e ardhshme, edhe pse daljet e tij të shpeshta nëpër televizione tregojnë frikën që e ka kapur duke treguar vetëm disa ana të vogla positive të futbollit pasi ndihet i rrezikuar se gjithë ky pushtet që ka krijuar mund t’i prishet një ditë.
E ndjen shumë mirë frikën pasi i trembet një emri që ende nuk e ka zyrtarizuar nëse do të jetë ose jo kandidat për zgjedhje e institucionit të FSHF-së. E tremb emri i Bashkim Finos pasi ai e di shumë mirë se pas 16 viteve për herë të parë ndihet i rrezikuar që mund ta humbasë këtë “mbretërim” për shkak se këtë rradhë mund të ketë një rival të denjë përballë ku pritet që të zhvillohet një garë e fortë, ndryshe nga ato që ai ka zhvilluar çdo katër vite, kur herë nxirrte vetë ndonjë kandidat dhe herë dilte i vetëm duke i kthyer zgjedhjet në qesharake.
Nuk ka marrë mbështetjen e asnjë emri të njohur të futbollit shqiptar që të dalë e të thotë se Duka duhet të vijojë të drejtojë FSHF-në. Përkundrazi ka marrë një shuplakë shumë të fortë nga emra të mëdhenj si Vasil Ruci, Sokol Kushta, apo dhe Igli Tare që është një nga drejtorët më të mirë sportiv në kampionatin Italian.
“Ajo që ka nevojë futbolli shqiptar është fakti që duhet të bëjë një ndryshim. Do të ishte shumë gjë e mirë për futbollin shqiptar në drejtimin e federatës. Nuk kam asnjë lloj polemike, por është diçka që do ta ndihmonte shumë edhe si lëvizje. Ndoshta me figura të reja që kanë motivim dhe dëshirë për ta çuar akoma më lart punën e njerëzve që kanë punuar deri më sot. Do të ishte diçka positive”, ishte deklarata e bërë nga ish lojtari i njohur i kombëtares shqiptare Igli Tare që kërkoi hapur ndryshime në kupolën drejtuese të Federatës Shqiptare të Futbollit.
Armando Duka ka që nga viti 2002 që e drejton FSHF-në dhe ka pasur aq shumë kohë dhe aq shumë mundësi për të ngritur futbollin në nivele të larta sa nuk ka pasur ZOT që ta pengonte, por faktet dhe niveli tregojnë krejt të kundërtën pasi ne kemi një nivel qesharak.
Ai FSHF-në e ka kthyer në pronën e tij dhe është një nga personat më të padëshiruar nga futbolldashësit shqiptar që në rast se do të kryejë një sondazh për figurën e tij si president do të ulërinte: “O Zot çfarë turpërimi!”
Zoti ka kohë që të ka thënë mjaft Armando Duka!
Diskutime rreth kësaj post