Avokati i njohur Spartak Ngjela e ka cilësuar fitoren e Partisë Socialiste në këto zgjedhje si një dështim të planit destabilizues rus. Me anë të një postimi në rrjetet sociale, Ngjela u shpreh se humbja e PD është e të turpshme, ndërsa theksoi se po ashtu kjo është një fitore e madhe e të djathtës shqiptare pas 30 vitesh.
Avokati theksoi se e kishte shprehur edhe më parë se PD nuk mund të ishte fituese në këto zgjedhje.
“Humbja e krerëve të korruptuar të Partisë Demokratike është fitore e madhe e të djathtës shqiptare. Moska u mund në Shqipëri. Çdo të bëjnë tani “analistët” e paguar prej saj? A ju thashë që nuk fiton dot Moska këtu? Po çfarë sollën zgjedhjet? Humbja e turpshme e Partisë Demokratike, është fitore e madhe e të djathtës shqiptare pas 30 vjetësh”, – tha ai.
Ndër të tjera, Ngjela vijoi më tej duke ngritur edhe disa pyetje, ku tha se nëse në këto zgjedhje që u zhvilluan ka pasur një ndërhyrje nga Moska. Ai theksoi se tashmë me humbjen e opozitës presidentit Meta nuk i mbetet gjë tjetër veçse të largohet nga vendi dhe të shkojë në Moskë ose në Korenë e Veriut.
“Dhe ja pyetjet që priten të sqarohen këndej e mbrapa: A ka ndërhyrë Rusia në këto zgjedhje në Shqipëri? A e kanë pritur “analistët” moskovitë ndërhyrjen e Moskës në zgjedhje? Pse na janë mërzitur kaq shumë “analistët” që nuk ndërtojnë dot një gjykim logjik? Çfarë do të bëjë tani Meta, a do ta marrë rrugën për në Moskë? (te raketat), apo mos vallë, do niset ky për në Korenë e Veriut”, – tha ai.
Sakaq, avokati vijoi më tej duke thënë se me humbjen e PD ka pësuar edhe një humbje të madhe ish-kryeministri Sali Berisha. Ai hodhi akuza në drejtim të krerëve të korruptuar, të cilët sipas tij tani nuk kanë më shpëtim, ndërsa theksoi se kryeministri Rama po përpiqet që të afrojë opozitën për bashkëpunim.
“Falimentimi i Berishës dhe i zogut të tij familjar, do të sjellë involvim të ri djathtas. Patriotizmi i djathtë shqiptar do të marrë veten pas pushtimit të gjatë tridhjetëvjeçar nga Beogradi dhe Moska. Këta krerë të korruptuar, që kanë shitur rëndom interesin kombëtar nuk kanë më shpëtim. Gjithsesi, Rama përsëri po duket se kërkon t’i mbajë, me “zgjatje dore”. Kot e ka, se tani duhet të mendohet për të fituar kundër të djathtës, pa pasur Saliun më përballë”, – bëri me dije ai.
Ngjela sulmon Metën
Ndërkohë, avokati Spartak Ngjela ka folur sa u përket zgjedhjeve edhe në një intervistë televizive, ndërsa nuk ka lënë pa sulmuar edhe presidentin Meta. Ai u shpreh se Meta tashmë që zgjedhjet i fitoi PS nuk dihet ku mund të shkojë. Ai theksoi se presidenti mund të ketë pësuar goditje të madhe psikologjike.
“Ku ka shkuar Meta, pyeteni. Mos ka shkuar tek raketat ruse? Mund t’i thuash politikës amerikane se ka dhe Rusia raketa me Korenë e Veriut. Nuk e di si e ka përjetuar psikika e tyre, kjo është goditje e madhe psikologjike. Këtij presidenti i ka frenuar sjelljen. Nja 10 për qind të votave ia humbi ky të djathtës. Ne tani jemi përballë reformës në drejtësi dhe luftimit të korrupsionit dhe do të eliminohet korrupsioni sepse kështu po e kërkon Washtingtoni”, – tha ai.
Sakaq, Ngjela ka komentuar edhe kërkesën që kryeministri Edi Rama i bëri liderit të PD, Lulzim Basha për një koalicion midis partive PS-PD. Ngjela u shpreh se kjo ka qenë një kërkesë që Rama bëri gjatë fushatës zgjedhore, por që pjesë e bashkëpunimit mos të ishte Berisha dhe Meta.
“Rama po i shtrin dorën Lulzim Bashës. Rama e hodhi këtë ide që para zgjedhjeve, por i vuri kusht, bashkëpunojmë pa Saliun dhe Metën. Nuk besoj që të jetë nga Rama, se një politikë kaq të thellë nuk bën Rama, por e kanë vënë ata që po drejtojnë Shqipërinë me reforma të mëdha gjeopolitike”, – deklaroi ai.
Diskutime rreth kësaj post