Opozita është shprehur se Edi Rama do që të ndajë Shqipërinë në 4 vilajete. Sipas opozitës ndarja e re territoriale në katër rajone, është një zgjerim i pushtetit lokal dhe përqendrim i pushtetit në duart e kryeministrit.
Mazhoranca i rrëzon akuzat e opozitës jashtë parlamentit se ligji për zhvillimin rajonal dhe kohezion centralizon fondet e pushtetit vendor në duart e qeverisë.
Zv.kryeministri Erion Braçe, që ligji i ri e ngarkon për zbatimin e këtij mekanizmi, pohoi se Parlamenti rregulloi me ligj atë që prej vitesh ndodhte në praktikë.
“Këto rajone për të cilat flasin ata dhe që iu referoheni ju kanë nja 5 a 6 vite që janë funksionalë, si rajone zhvillimi ku adresohen politikat e qeverisë”, thotë Braçe për A2.
“Nuk dua asnjë qindarkë, dhe ky projektligj nuk merr asnjë qindarkë të bashkive, nuk merr asnjë qindarkë të këshillit të qarkut. Përkundrazi, jep”.
Numri dy i qeverisë është i prerë kur flet për zero kompetenca të prekura të bashkive nga ky ligj.
“Ky ligj, të cilit iu referuan dje të marrët si një instrument që do të zhvat fondet e Bashkimit Europian, që iu merr kompetencat bashkive, këshillave të qarqeve, nuk është hartuar nga unë, as nga dikush tjetër këtu në Këshillin e Ministrave. Ky ligj është hartuar me ndihmën e qeverisë zvicerane e austriake”.
Një kundërpërgjigje nga zv.kryeministri edhe për dyshimin tjetër të opozitës se pas kësaj lëvizjeje, Rama ka bërë llogaritje elektorale.
“Këto janë paranoja të ca humbësve”, u shpreh ai.
Diskutime rreth kësaj post